Munishi, pasi Ballkani shmangi humbjen në fund të ndeshjes: “Merituam një pikë”

16:02 | 5 Nëntor 2020
L G

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka deklaruar se skuadra e tij e meritoi të largohet me një pikë nga “Rexhep Rexhepi”.

Lideri i Superligës ishte duke humbur nga Feronikeli 1-0 deri në minutën e 95’, kur Ermal Krasniqi doli në skenë dhe me një gol shumë të bukur e ka shpëtuar Ballkanin nga humbja kundër skuadrës së Klodian Duros që luajti me 10 futbollistë për disa minuta në pjesën e dytë.

“Ishte ndeshje e vështirë, kundër një kundërshtari të fortë. E morëm një gol nga pakujdesia. Më vjen mirë që reagoi skuadra, sidomos në pjesën e dytë morëm ne iniciativën dhe në fund arritën të barazojmë rezultatin. Më vjen mirë që po largohemi me një pikë dhe të pamposhtur nga këtu”, tha Munishi.

“Në pjesën e dytë ndryshuam taktikisht, stilin e lojës, që solli rezultate”.

Munishi ka kritika për lojën e ashpër të kundërshtarëve.

“Besoj që nuk duhet të luhet ndeshje e ashpër sepse nuk më vyen fitorja nëse lëndohet ndonjë futbollist. Në pjesën e parë e kishim të vështirë të dalim përpara pikërisht edhe për shkak të lojës së ashpër, është dashur më herët të ndëshkohen futbollistët me kartonë”.

Ballkani e mban kreun me 26 pikë, katër më shumë se Drita, e cila mund ta kalojë në renditje nëse i fiton dy ndeshjet e mbetura.

Feronikeli ngel në pozitën e shtatë me 12 pikë, gjashtë më shume se Besa, në pozitën që dërgon një kategori më poshtë. /Gazeta Express/

Të ngjashme