Çfarë parasheh Kushtetuta e Kosovës për rastet kur Presidenti i vendit jep dorëheqje?

12:00 | 5 Nëntor 2020
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pasi Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij.

Neni 90 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës parasheh rastin kur vendi është në mungesë të përkohshme të Presidentit, ku parashihet që ushtrues i detyrës së Presidentit të jetë Kryetari/ja e Kuvendit.

Kjo do të thotë se postin e presidentes do ta ushtrojë, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Më poshtë keni të plotë Nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës:

Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]

Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit.
Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit.
Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj. /Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme