Ka qenë një operacion blic i nisur që në orën 06:00 të mëngjesit i organizuar nga policia e EULEX ai që pati për synim bastisjen e shtëpisë dhe arrestimin e Jakup Krasniqit në Prishtinë dhe në Malishevë. Një operacion i nisur herët për të kapur në befasi ish Kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe aktualisht Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate. Bastisja e shtëpive ka zgjatur për 10 orë dhe përfundoi me arrestimin e Krasniqit për akuzat për krime lufte në Hagë gjatë kohës kur ka qenë zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai është nisur për në Hagë dhe së shpejti do të dalë në gjykatë”, tha avokati i Krasniqit, Valon Hasani, që foli për një aktakuzë të konfirmuar, por të paspecifikuar. Ish-kryetari i parlamentit Krasniqi ka qenë sekretar dhe zëdhënës i UÇK-së gjatë kohës së luftës dhe aktualisht është kryetar i këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate e Kosovës.
Vajza e Krasniqit, Gresë Krasniqi, shprehu zemërim rreth bastisjeve, duke i përshkruar deputetët e Kosovës që votuan për krijimin e Dhomave të Specializuara si “të ndyrë”.
“Babai im sakrifikoi vitet më të bukura të jetës së tij që ne dhe fëmijët tuaj të gëzojnë lirinë. Jam krenar për babanë tim, po fëmijët tuaj? Si ndihen ata për prindërit e tyre tradhtarë?” shkroi ajo në Facebook.
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, udhëheqës i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, shkroi në Facebook se operacioni policor i EULEX nuk ishte “në përputhje me standardet e shteteve demokratike” dhe “përfaqësonte një ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respekton dinjitetin njerëzor. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër dhe ne besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi”.
Qeveria e Kosovës reagoi përmes një komunikate për mediat ku tha se Kosova ka qenë shembull për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare.
“Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë dhënë shembull për respektimin dhe bashkëpunimin me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare. Njëjtë do të veprohet edhe kësaj radhe me Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast, përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se ishte i bindur se Krasniqi do të kthehet shumë shpejt. “Bacin Jakup do ta presim shumë shpejt duke u kthyer fuqishëm me certifikatën të cilën e ka, që personifikon atë njeri humanist, njeri i ndershëm, një jetë të tërë në shërbim të publikut, vet sakrifikues, patriot e atdhetar”, tha Limaj, që bashkë me disa anëtarë të partisë së tij vizitoi familjen e Krasniqit.
Në mbrëmje u njoftua edhe aktaakuza për një tjetër ish luftëtar të UÇK-së. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Rexhep Selimi në një postim në faqen e tij në Facebook u shprehet se nesër (të enjten) do të udhëtojë për në Hagë, pasi ishte njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar. “Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë në media kanë nisur spekulimet për arrestime të tjera që priten në Prishtinë në ditët në vazhdim. Për Presidentin Hashim Thaçi, tashmë aktakuza për krime lufte është e konfirmuar. Njësoj edhe për kreun e PDK-së Kadri Veseli , i cili ka mbajtur edhe postin e Kryetarit të Kuvendit dhe për të tjerë ish luftëtarë të UÇk-së.
Në këtë situatë të krijuar në Prishtinë, ka rënë në sy heshtja e Tiranës. Deri në orët e vona të së mërkurës nuk pati asnjë reagim për arrestimin e Jakup Krasniqit, pavarësisht se ndër vite dhe gjatë kohës që Krasniqi ka mbajtur detyën e kreut të kuvendit të Kosovës ai ka pasur rregullisht takime me krerët e shtëtit shqiptar, sic e dëshmojnë edhe fotot më poshtë./lapsi.al/
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...
“Nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, Mickoski e quan akt ag...
“Prishtina gjithmonë do të jetë krah Tiranës”, Komuna publik...
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante