Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi është nisur për në Hagë. Ai u arrestua sot, pasi u intervistua për orë të tëra në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar zhvilloi një operacion.
Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Prokuroria e Specializuar ka të drejtë të zhvillojë kontrolle dhe sekuestrime të këtij lloji. Kjo parashihet kur provat nuk mund të sigurohen në një mënyrë tjetër, shkruan Gazeta Express.
Rregulli 38 specifikon rastet kur Prokurori i Specializuar mund të urdhërojë kryerjen e një kontrollimi dhe sekuestrimi. Gjatë kontrollit, Prokurori në disa raste mund të sekuestrojë përkohësisht çfarëdo që gjen.
“Bazuar në nenin 35 dhe nenin 39 të Ligjit dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në rregullën 37 (1-3), Prokurori i Specializuar, pa autorizimin e një paneli, mund të kryejë kontrollimin e një personi ose prone, vendi, ambienteve apo objekti, dhe të sekuestrojë përkohësisht çfarëdo sendi të gjetur gjatë kontrollimit, në qoftë se: (a) personi në fjalë me vetëdije dhe vullnetarisht pajtohet me kryerjen e kontrollimit dhe sekuestrimin; (b) personi në fjalë është kapur duke kryer një vepër penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe pas ndjekjes nga afër do të arrestohet; ose (c) një veprim i tillë është i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun e menjëhershëm të një dëmi të rëndë dhe të pandreqshëm ndaj personave të tjerë ose pronës”, thuhet në pikën e parë të këtij rregulli.
Për t’i bërë të vlefshme gjësendet e sekuestruara dhe kontrollimin në tërësi, Prokuori i Specializuar duhet t’ia paraqes një paneli kërkesën për miratimin e kontrollimit dhe sekuestrimit. Pa miratimin e panelit, materiali i sekuestruar nuk mund të përdoret për ndjekje penale.
“Kërkesën për miratimin e kontrollimit dhe sekuestrimit, Prokurori i Specializuar ia parqet një paneli menjëherë dhe jo më vonë se njëzet e katër (24) orë pas fillimit të kontrollimit dhe sekuestrimit. (3) Paneli që shqyrton kërkesën mund të miratojë kontrollimin dhe sekuestrimin brenda tri (3) ditësh nga paraqitja e kërkesës vetëm nëse bindet se janë plotësuar kushtet e përcaktuara në paragrafin (1). (4) 1Në qoftë se një kërkesë e tillë nuk është paraqitur, nuk është miratuar, ose paneli nuk ka nxjerrë vendim në lidhje me të, urdhri i Prokurorit të Specializuar për kontrollim dhe sekuestrim pushon së qeni në fuqi dhe Prokurori i Specializuar ndërpret menjëherë kontrollimin dhe sekuestrimin. 2Materiali i sekuestruar, në qoftë se ka, nuk mund të përdoret për hetim apo ndjekje penale”, thuhet ndër tjerash në këtë rregull.
Siç e parasheh rregullorja e Speciales, Jakup Krasniqi do të duhet që brenda 48 orësh pas arrestimit të dalë para një paneli, që njihet si “paraqitja e parë e të akuzuarit”.
“Në përputhje me nenin 41(3) të Ligjit, çdo person i arrestuar në bazë të kësaj rregulle, nxirret para një paneli brenda dyzet e tetë (48) orësh pas arrestimit. 2Paneli duhet të bindet se personi i arrestuar është informuar për arsyet e arrestimit në përputhje me nenin 41(6) të Ligjit, si edhe për të drejtat që gëzon në bazë të Ligjit dhe Rregullores”, thuhet në rregullin 52.
Në paraqitjen e parë, Krasniqi ka të drejtë ta zgjedh një avokat mbrojtës ose kjo t’i caktohet nga Specialja. Në këtë paraqitje, atij i lexohen akuzat dhe informohet se brenda 30 ditësh duhet ta deklarojë fajësinë apo pafajësinë në lidhje me to. Ai mund të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë qysh në paraqitjen e parë.
Për nëntë orë njësitet e EULEX-it qëndruan në shtëpinë e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili sipas familjarëve u veçua në një dhomë në katin e parë të shtëpisë së tij në lagjen Velania në Prishtinë. Zyrtarët e Policisë së EULEX-it pas orës 06:00 të mëngjesit të sotëm mbërritën në shtëpinë ku Krasniqi jeton me familjen e tij të ngushtë, e më pas aksioni vazhdoi edhe në shtëpinë tjetër në vendlindjen e tij në Negroc të Drenasit.
Avokati i Krasniqit tha se klientit të tij i është konfirmuar aktakuza, ndërsa nuk tregoi se çfarë akuza përfshihen në të.
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...