Google ADS

Drita e mposht Trepçën ’89 dhe e vazhdon presionin ndaj Ballkanit, Prishtina e mund Arbërinë

15:44 | 4 Nëntor 2020
L G

Drita e ka mundur 1:0 Trepçën ’89, duke e vazhduar ecurinë e fitoreve të njëpasnjëshme dhe njëkohësisht duke e vazhduar presionin ndaj liderit të Superligës, Ballkanit.

Prishtina më në fund fitoi pas tri humbjeve radhazi, duke e mposhtur Arbërinë. Ndërkohë, Besa dhe Drenica u ndan baras në tri duelet e para të javës së 11-të të mërkurën në mesditë, raporton Gazeta Express.

Trepça ’89 0:1 Drita

Kampionia në fuqi Drita e zgjati në katër ndeshje ecurinë e fitoreve, duke e mundur Trepçën ’89 me rezultat minimal në Riza Lushta.

Xhevdet Shabani ishte heroi i Dritës duke e shënuar golin e vetëm në ndeshje. Ai realizoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 16-të në Mitrovicë.

Mitrovicasit i patën mundësitë e veta me Sie, por nuk qenë në gjendje ta thyenin akullin, ndërkohë që gjilanasit kanë mundur të shënonin më shumë sikur Kastroit Rexha ta realizonte ndonjërën prej shumë mundësive që i kishte.

Kjo fitore nënkupton se Drita tani i afrohet në vetëm tri pikë Ballkanit dhe ka mundësi ta barazojë me pikë në vendin e parë, nëse e fiton ndeshjen e mbetur.

Trepça ’89, në anën tjetër, bie një pozitë më poshtë; në të gjashtën me 14 pikë të mbledhura, tetë pikë larg zonës së rënies nga liga.

Prishtina 1:0 Arbëria

Pas tri humbjeve radhazi, Prishtina më në fund e gjeti rrugën e fitores duke e mundur me vështirësi skuadrën e promovuar në elitë këtë vit, Arbërinë, në Fadil Vokrri në kryeqytet.

Enis Gavazaj ia siguroi tri pikët e para bardhekaltërve pas një kohe të gjatë, duke e realizuar golin e vetëm në takim.

Ai shënou nga penalltia në minutën e 11-të.

Arbëria ishte e pafuqishme t’i bëjë dëm bardhekaltërve dhe iu desh të priste 80 minuta për ta krijuar mundësinë më të mirë për shënim.

Arrabal e pati një mundësi të mirë, por goditja e tij me kokë shkoi mbi portë.

Prishtina, ndërkohë, ka mundur ta rriste epërsinë sikur Besnik Krasniqi të shënonte nga një mundësi ideale.

Kjo ishte humbja e katërt radhazi për skuadrën e Arbnor Morinës dhe bën që ajo të mbetet në pozitën e tetë, të fundit që e siguron qëndrimin në ligë, me vetëm 11 pikë, pesë më shumë se Besa në vendin e parafundit.

Prishtina shkon në pozitën e pestë pas kësaj fitoreje dhe mbledh 14 pikë.

Në takimin tjetër të zhvilluar sot, Besa dhe Drenica u ndan baras në Tahir Vokshi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme