Reagimi i KMDLNj për bastisjen në shtëpinë e Jakup Krasniqit: Kosova nuk po e dëshmon se është shtet që i mbron qytetarët e saj

14:46 | 4 Nëntor 2020
Arbresh.info

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) e ka quajtur intervenim frikësues dhe arrogant aksionin e sotëm të EULEX-it në vendbanimin e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Sipas një komunikate të gjatë për media, KMDLNj e konsideron të paarsyeshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut që po përdoret forca e policisë, kur sipas tyre, të ftuarit janë deklaruar se do të jenë bashkëpunues me drejtësinë ndërkombëtare, shkruan Arbresh.info.

Poashtu sipas KMDLNj-së, Kosova nuk po e dëshmon se është shtet që i mbron qytetarët e saj nga “arbitrariteti i burokratëve ndërkombëtarë”.

“Kosova nuk po e dëshmon se është shtet që i mbron qytetarët e saj nga arbitrariteti i burokratëve ndërkombëtarë që po e shpërfillin shtetin e Kosovës , deri në përbuzje. Nëse një burokrat që haptasi është rreshtuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe në anë e Serbisë , si puna e Borrellit që është mbajtës i postit me rëndësi në BE e që qartazi bënë politikë anuese kërkon nga Presidenti i Kosovës që ka mandat të plotë dhe i cili i përgjigjet vetëm Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të konsultohet me këtë burokrat antikosovar për veprimet që janë përgjegjësi ekskluzive kushtetuese e presidentit të Kosovës e aspak të proserbit dhe burokratit Borrell qartazi e tregon pafuqinë vendimarrëse të institucioneve kosovare”, thuhet në reagimin e tyre.

Ky është reagimi i plotë i KMDLNj-së

Sipas informatave të KMDLNj –së , forca të mëdha policore të EULEX-it dhe Gjykatës Speciale , më 4 nëntor 2020 , para orës 6.00 të mëngjesit rrethuan shtëpinë ku jeton Jakup Krasniqi , ish i burgosur politikë , zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohë lufte , bartës i posteve ministrore pas përfundimit të luftës dhe ish – kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe një kohë edhe ushtrues detyre i Presidentit të Kosovës. Po këto forca policore bllokuan të gjitha rrugët në pjesën ku e ka shtëpinë Jakup Krasniqi . Që nga ora 6-të e mëngjesit , Jakup Krasniqi , i izoluar nga familja është intervistuar nga hetues të Gjykatës Speciale . Po në të njëjtën kohë forca të mëdha policore rrethuan shtëpinë e Jakup Krasniqit në Negroc  ( nga ora 5-ë e mëngjesit )  në pritje të një urdhëri për bastisje nga Gjykata Speciale. Jakup Krasniqi në muajin korrik të vitit 2019 ishte ftuar për intervistim , si i dyshuar nga Gjykata Speciale në Hagë dhe me kohë ishte përgjigjur ftesës për intervistim duke e informuar opinionin për ftesën nga kjo Gjykatë. Edhe pas intervistimit nga kjo Gjykatë , Jakup Krasniqi nuk kishte marrë asnjë veprim në kundërshtim të kësaj Gjykate apo pengim të punës së saj duke shfaqur gatishmëri që në çdo kohë t’i përgjigjet ftesës së kësaj Gjykate. Në prononcimet publike Jakup Krasniqi në asnjë rast nuk e bëri publik intervistimin e tij në Hagë por se në çdo deklarim publik e ka mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kohë më parë kjo Gjykatë e arrestoi Salih Mustafën – Calin dhe me urgjencë e transferoi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. As gjatë këtij arrestimi nuk pati kundërshtime dhe , pa asnjë arsye është terrorizuar familja e Salih Mustafës. Në mënyrën më të vrazhdë të ,  përmes demonstrimit të një arrogance për frikësim , policë të Gjykatës Speciale , me logo të “ hakmarrësve “ në uniformat e tyre të marrë nga një film i dhunshëm ) arrestuan krerët e OVL –ë të UÇK-së , ndonëse as këta nuk e kundërshtuan arrestimin , për t’i dërgua rpastaj ( pa viza ) dhe me procedurë të përshpejtuar në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Deri më tani , vetçm një apo dy rasteve në më shumë se 350-400 rasteve të ftuar për intervistim , kanë refuzuar të lajmërohen me kohë dhe në vendin e caktuar për intervistim e që nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër nga hapësira e ish – Jugosllavisë  që janë trajtuar nga Tribunali për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë në Hagë apo gjykatat e specializuara vendore.

Nëse të gjithë të ftuarit për intervistim në cilësi të të dyshuarit apo dëshmitarit janë lajmëruar me kohë për intervistim apo kur për shkaqe objektive shëndetësore ( COVID -19 ) nuk kanë mundur të lajmërohen , e kanë informuar këtë Gjykatë me kohë për arsyen .

Nëse të gjithë të ftuarit janë deklaruar se do të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare ( drejtësi selektive e mbështetur në interese politike dhe parime etnike ) atëherë , KMDLNj nuk e sheh aspak të arsyeshme veprimet arrogante dhe frikësuese të Gjykatës Speciale që e përdorë si instrument dhune policinë e paidentifikuar dhe shkel të drejtat e njeriut të familjarëve por edhe të arrestuarve përmes demonstrimit të një force krejtësisht të panevojshme ! Të mbahen për disa orë në kushte tmerri familjarët , është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim të plotë me veprimet e ish Tribunalit për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë që të akuzuarit i ftonte të paraqiten para Tribunalit dhe pastaj i arrestonte. Kemi qenë dëshmitarë se shumë të akuzuar për krime monstruoze në Kroaci , Bosnje dhe Kosovë , kur shkonin në Tribunal të Hagës shkonin me përcjellje shtetërore dhe pompozitet sikur të shkonin të merrnin Çmimin Nobel për Paqe !

Kosova nuk po e dëshmon se është shtet që i mbronë qytetarët e saj nga arbitrariteti i burokratëve ndërkombëtarë që po e shpërfillin shtetin e Kosovës , deri në përbuzje. Nëse një burokrat që haptasi është rreshtuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe në anë e Serbisë , si puna e Borrellit që është mbajtës i postit me rëndësi në BE e që qartazi bënë politikë anuese kërkon nga Presidenti i Kosovës që ka mandat të plotë dhe i cili i përgjigjet vetëm Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të konsultohet me këtë burokrat antikosovar për veprimet që janë përgjegjësi ekskluzive kushtetuese e presidentit të Kosovës e aspak të proserbit dhe burokratit Borrell qartazi e tregon pafuqinë vendimarrëse të institucioneve kosovare.

Pastaj , nëse një antikosovar i certifikuar dhe urrejtës i pavarësisë së Kosovës , mik i madh i Serbisë , burokrati Lajçak , pa fije turpi dhe duke u kërcënuar kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës duke e llogaritur si letër toaeleti për ta zyrtarizuar Republika Serpsken në Kosovë , Asociacionin e Serbisë në Kosovë dhe se prapë bisedohet me te , nuk është asgjë tjetër përveç shpërfaqje e një pafuqie dhe dorëzimi ndaj Serbisë të presonalizuar në burokratin Lajçak..

Nëse vazhdohet me këtë ndërhyrje mujshare në punët e një shteti të pavarur dhe sovran nga burokratë politikisht të korruptuar dhe kriminalizuar, pse atëherë të mos bëhet Borrelli kryetar i Kosovës , Lajçaku , kryeministër i Kosovës apo Ana Bernabiq kryetare e Kuvendit të Kosovës ?! Ç’kuptim kanë institucionet e Kosovës kur nuk llogariten as si vazalë nga burokratët e kriminalizuar ndërkombëtarë! Nëse policë të paidentifikuar , të kontrabanduar si policë të Gjykatës Speciale , pa asnjë paralajmërim demonstrojnë frikë dhe terrorizojnë familjet e të dyshuarve por edhe qytetarët që nuk pajtohen me ta , kur të duan arrestojnë kend të duan dhunshëm atëherë pse psh. një policë i Rumanisë që mund të ketë qenë ekzekutues i protestuesve paqësorë , Mon Balaj dhe Arben Xheladini , të mos bëhet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ?!

Duke falënderuar qëndrimit bashkëpunues të të ftuarve për intervistim nga Gjykata Speciale , qoftë si të dyshuar apo dëshmitarë , situata e sigurisë në Kosovë ka qenë e qëndrueshme deri më tani , pa asnjë përshkallëzim të dhunshëm. Gjykata Speciale po e keqpërdorë skajshmërisht këtë bashkëpunim dhe me arrestimet që i ka bërë , seriozisht po kontribuon në përkeqësimin e situatës së sigurisë. Nëse nuk ka fare kundërshtim , pse atëherë të demonstrohet forca dhe dhuna , mjafton të dërgohet një ftesë për paraqitje para kësaj Gjykate. KMDLNj është e sigurt se , edhe në rast që të akuzuarit marrin konfirmim të aktakuzës dhe se duhet të shkojnë në burg , këtë do ta bënin pa kundërshtuar sikur që e kanë bërë në të gjitha rastet deri më tani , nga koha e ish – Tribunalit për Krime Lufte për ish – Jugosllavi e deri te kjo Gjykatë Speciale që pretendon se ndanë drejtësi  e që e bënë sipas parimit etnik ndërsa ndanë padrejtësi duke mos siguruar drejtësi për , së paku 95 %  të viktimave , gjithashtu sipas parimit etnik !

 

Të ngjashme