OFL i kërkon deklarimin e pasurisë vrasësit të policit në Lazarat

12:44 | 4 Nëntor 2020
L G

Operacioni Forca e Ligjit u ka kërkuar deklarimin e pasurisë dy vrasësve ditën e sotme.

Përparim Muhameti banues në Përmet është dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Ndërsa Barjam Boci banues në Gjirokastër është dënuar për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, në pesë raste.

Në datën 24 qershor të vitit 2015, në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, gjatë një operacioni policor është vrarë me armë zjarri punonjësi i Policisë së Shtetit I. B., si dhe janë plagosur punonjësit J. I. dhe P. H. Boci ka qenë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të Policisë.
Barjam Boci është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje në rrethana cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Njoftimi i OFL:

OFL, 4 nëntor. Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Përparim Muhameti banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;

Barjam Boci banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, në pesë raste.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./Top Channel/

Të ngjashme