Google ADS

Zgjedhjet presidenciale 2020 në Amerikë: rezultate, analiza, përditësime të drejtëpërdrejta

07:37 | 4 Nëntor 2020
Arbresh.info

Amerika zgjedh presidentin.

Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Përmbledhje
Amerika zgjedh presidentin. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale. Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Vëmendja tek presidenti, por sot votohet edhe për një-të-tretën e Senatit dhe për të gjitha, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Përditëso
07:20
Biden në Twitter pas postimeve të Presidentit Trump: U takon zgjedhësve të shpallin fituesin

Pas postimeve në Twitter të Presidentit Donald Trump, kandidati demokrat Joe Biden, shkruan në Twitter se “nuk më takon as mua, as Donald Trumpit të shpallim votuesin. U takon votuesve”.

“Ne ndjehemi mirë për pozicionin ku jemi. Ne besojmë që jemi në rrugën drejt fitores”.

Më herët zoti Biden kishte folur me të njëjtin ton në komentet nga Uilmington, Delauer.

06:52
Trump shkruan në Twitter: Do të bëj një deklaratë.

Presidenti Trump u drejtohet mbështetësve në Twitter: “Ne jemi shumë më përpara por ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne nuk do t’i lejojmë ata kuirrë ta bëjnë këtë. Votat nuk mund të hidhen pasi të jenë mbyllur qendrat e votimit.”

“Do të bëj një deklaratë, një fitore e madhe.”

06:46
Ashpërsohet gara zgjedhore, Biden flet përpara mbështetësve

Ndërkohë që gara zgjedhore po ashpërsohet, kandidati Biden foli përpara mbështetësve: “Ndihemi mirë për pozicionin që kemi deri tani. E dimë se për shkak të votimeve të hershme të papara do të duhet të presim ca,” tha ai. Zoti Biden shprehu besimin se ai do ta fitojë Pensilvaninë, një shtet mjaft i rëndësishëm që mund të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve. Zoti Biden u tha mbështetësve: Kini besim, mbani shpresën gjallë, ne do ta fitojmë këtë garë”! Zoti Biden i bëri komentet nga shteti Delauer.

06:41
Trump fiton shtetet Ohajo, Ajdaho dhe Luiziana

Trump fiton shtetet Ohajo me 18 vota elektorale, Ajdaho me 4 dhe Luiziana me 8 vota elektorale.

Biden fiton shtetin Nju Hampshër, Trump fiton Kansasin

Biden fiton shtetin Nju Hampshër me 4 vota elektorale, Trump fiton Kansasin me 6 vota.

05:20
Trump fiton shtetet Juta, Uajoming dhe Dakota e Veriut

Trump fiton shtetet Juta me 6 vota elektorale, Uajoming me 3 vota dhe Dakota e Veriut me 3 vota elektorale.

05:13
Biden fiton në shtetet Kaliforni, Oregon dhe Uashington

Biden fiton në shtetet Kaliforni me 55 vota elektorale, Oregon me 7 dhe Uashington​ me12 vota.

04:58
Trump merr Mizurin

Trump fiton shtetin Mizuri me 10 vota elektorale

04:56
Trump fiton në Karolinën e Jugut, Virxhinian Perëndimore, Biden merr shtetet Ilinoi dhe Nju Meksiko

Trump fiton në Karolinën e Jugut me 9 vota elektorale, Virxhinian Perëndimore me 5 vota, Biden merr shtetet Ilinoi me 20 vota dhe Nju Meksiko me 5 vota elektorale.

04:47
Trump fiton 3 vota elektorale në Nebraska

Nebraska ka 5 vota elektorale, por në këtë shtet ato ndahen. Fituesi i votës popullore në shtet merr 3 ndërsa 2 të tjerat i merr fituesi i votës popullore në secilën zonë zgjedhore. Dy votat e mbetura ende nuk janë vendosur.

04:36
Biden fiton në shtetin Kënektikat

Kënektikat ka 7 vota elektorale.

04:15
Biden fiton në shtetin e Kolorados

Kolorado ka 9 vota elektorale.

04:05
Trump fiton shtetet Alabama, Arkansas, Dakota e Jugut dhe Tenesi

Alabama ka 9 vota elektorale, Arkansas 6, Dakota e Jugut 3 dhe Tenesi 11.

03:19
Biden fiton në Një Jork, Nju Xhërsi, Uashington DC

Ish-nënpresidenti Biden ka fituar në Nju Jork, Nju Xhërsi, Uashington DC, me nga 29, 14 dhe 3 vota respektivisht. Më parë ai kishte fituar në Vermont, Masaçusets, Delauer (shteti i zotit Biden), dhe Merilend. Zakonisht këto shtete votojnë për demokratët. Parashikimet e deritanishme tregojnë se Presidenti Donald Trump ka fituar në Indiana, Kentaki dhe Oklahoma. Zakonisht këto shtete votojnë për republikanët, megjithëse në vitin 2008 Indiana votoi për ish-Presidentin Barack Obama. Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden kanë siguruar, sipas këtyre parashikimeve 26 dhe 73 vota elektorale respektivisht. Nju Jorku ka 29 vota elektorale, shteti me numrin më të madh deri tani. Në Florida, një shtet fushëbetejë, përqindjet e tyre janë shumë pranë njëra-tjetrës. Nga shtetet vendimtare, Florida pritet të jetë ndër të parat që mund t’i nxjerrë rezultatet. Ky shtet ka 29 vota elektorale.

02:37
Biden, fitues në Merilend

Shteti Merilend ka 10 vota elektorale.

02:25
Trump fiton në Oklahoma, Biden në Delauer

Oklahoma ka 7 vota elektorale, Delauer ka 3.

02:17
Demokrati Biden fiton në Masaçusets

Shteti Masaçusets ka 11 vota elektorale.

01:26
Rezultatet e para paraprake: Presidenti Trump fiton Indianën dhe Kentakin, demokrati Biden fiton Vermontin

Sipas parashikimeve të deritanishme, Presidenti Donald Trump ka fituar në shtetet e Indianës dhe Kentakit, ndërsa demokrati Joe Biden ka fituar në Vermont. Shteti i Indianës ka 11 vota elektorale, shteti i Kentakit ka 8 dhe shteti i Vermontit ka 3. Kjo do të thotë se deri tani Presidenti Trump ka 19 vota elektorale dhe zoti Biden, 3.

01:13
SHBA, proces i rregullt, i qetë zgjedhor në mbarë vendin

Miliona amerikanë pritën me durim në radhë të martën për të hedhur votat në biblioteka, shkolla, pallate sporti në kushtet e një pandemie vdekjeprurëse. Pjesëmarrja pasqyronte një demonstrim të rregullt të detyrës civile që dallonte qartë nga tensionet e thella që karakterizuan fushatën e ndezur zgjedhore. Shumë votues qëndruan në rradhë me maska mbi fytyrë, ndërkohë që në shumë qytete bizneset e dyqanet kishin mbuluar dritaret me kompensata, kujtesë e dy problemeve madhore në këtë periudhë zgjedhjesh: pandemia e COVID-it dhe protestat, në shumë raste të dhunshme nga demonstrues kundër praktikave policore dhe racizmit.

23:43
3.11.2020
Ekonomia, tema kryesore që​ dikton votë​n e amerikanë​ve

Një e treta e votuesve amerikanë rendisin ekonominë të parën ndër çështjet kryesore që diktojnë zgjedhjen e tyre për president, sipas anketës me amerikanë që sapo kanë votuar, zhvilluar nga kompania Edison Research. Dy ndër dhjetë votues thonë se për ta COVID-19 është kryesorja, po ashtu dy ndër dhjetë rendisin pabarazinë racore, ndërsa të anketuarit e tjerë flasin për krimin, sigurinë dhe kujdesin shëndetësor. Sipas anketës, gjysma e të anketuarve e shohin si të rëndësishme vënien nën kontroll të pandemicë, edhe nëse masa të tilla dëmtojnë ekonominë.

23:34
3.11.2020
Twitter bllokon llogari për “bashkëredim” postimesh mbi zgjedhjet

Platforma e medias sociale Twitter bllokoi të martën disa llogari të reja me prirje të djathta, që po postonin informacion mbi votimet në zona ku pritet të ketë garë të fortë mes kandidatëve presidencialë.

Twitter thotë se informacioni i postuar shkel politikat e kompanisë kundër “bashkërendimit” që nënkupton postimin në disa llogari të të njëjtit informacion, për të krijuar përshtypjen që individë të ndryshëm po postojnë në mënyrë të pavarur dhe pa lidhje me njeri-tjetrin.

Një nga llogaritë, SVNewsAlerts, kishte 69,000 pasues deri javën e kaluar. Kjo llogari shpesh ka paralajmëruar për trazira lidhur me zgjedhjet dhe për probleme lidhur me sigurinë e votës. Po ashtu në këtë llogari janë postuar pretendime të presidentit lidhur me mashtrime nga demokratët.

Llogari të tjera të bllokuara përfshijnë FJNewsReporter, Crisis_Intel dhe Faytuks.

21:38
3.11.2020
Gjykatësi urdhëron shërbimin postar të kontrollojë për vota të pashpërndara

Një gjykatës federal urdhëroi shërbimin postar (USPS) të kontrollojë një sërë qendrash për fletë-votime të dërguara me postë, që mund të kenë mbetur pa u shpërndarë dhe t’i dërgojë ato menjëherë në qendrat zgjedhore përkatëse. Urdhëri i gjykatësit përfshin shtete të tilla si Pensilvania, Florida, Karolina e Jugut, Kolorado, Arizona, Alabama dhe Uajoming. Disa prej tyre janë shtete që mund të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve. Urdhëri i gjykatësit pasoi një njoftim të shërbimit postar se nuk ka arritur të skanojë për t’u shpërndarë brenda ditës së sotme rreth 300 mijë vota. Gjykatësi ka kërkuar që brenda orës 15 shërbimi postar të bëjë verifikimin se sa vota kanë mbetur pa u shpërndarë dhe të konfirmojë deri në orën 16:30 se asnjë votë nuk do mbesë pa u dërguar në destinacion.

20:09
3.11.2020
Zyrtarët amerikanë shprehin besim tek siguria e zgjedhjeve.

Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha disa orë pas hapjes së qendrave të votimit se “nuk kemi të dhëna që ndonjë vend i huaj të ketë patur sukses në manipulimin ose ndryshimin e votave që janë hedhur”. Mbi 100 milionë amerikanë, ose mbi 75% e numrit të përgjithshëm të atyre që votuan në vitin 2016, morën pjesë në votimet e hershme, ose përmes postës, ose fizikisht, deri të martën në mëngjes. “Infrastruktura zgjedhore është e fortë”, tha zoti Wolf, duke shtuar se “gjithsesi ne jemi në gadishmëri të lartë”. Zyrtarët amerikanë kishin thënë ditët e fundit se ishin në dijeni të të paktën dy përpjekjeve për të hyrë në sistemet zgjedhore gjatë javëve të fundit, një nga Irani dhe një nga Rusia.

18:25
3.11.2020
Kush e shpall fituesin e zgjedhjeve?

Shumë besojnë se fituesi i zgjedhjeve në ShBA përcaktohet kur shtypi shpall emrin dhe kur kandidati tjetër shpall humbjen. Por realiteti është ndryshe.

Shpallja zyrtare e fituesit është një proces disa mujor që nuk përfundon deri në janar.

Ditën e votimit, zgjidhen anëtarët e Kolegjit Elektoral, në dhjetor ata takohen dhe votojnë për presidentin dhe në janar, Kongresi certifikon rezultatin. Kjo ësht një formulë kompromisi e themeluesve të republikës, të cilët në atë kohë, nuk kishin besim tek votuesit për të zgjedhur një president të përshtatshëm.

Covid-19 komplikon procesin e numërimit

Këtë vit numërimi i fletë-votimeve do të kërkojë kohë për shkak të pandemisë dhe numrit të madh të votave të dërguara me postë.

Pasi të përfundojë numërimi në të 50 shtetet, çdo guvernator harton listën e “elektorëve” (anëtarëve të Kolegjit Elektoral për shtetin e vet). Kopja e listës i dërgohet drejtorit të Arkivave Kombëtare. Anëtarët e Kolegjit Elektoral të çdo shteti, mblidhen në kryeqytetin e shtetit të tyre, për të votuar për presidentin. Kjo ndodh në dhjetor, të hënën, menjëherë pas të mërkurës së dytë të muajit. Këtë vit data është 14 dhjetor.

Të ngjashme