Google ADS

Shala kërkon ndërhyrje ndërkombëtare për ta detyruar Serbinë të ndriçojë fatin e të zhdukurve

16:26 | 3 Nëntor 2020
M. A.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, njëherit iniciuesi i debatit të sotëm parlamentar për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Shala theksoi se ketë debat parlamentar e kemi iniciuar për të diskutuar në lidhje me vazhdimin e mëtutjeshëm të Institucioneve të Serbisë që të mbajnë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë dhe të komuniteteve tjera, të rrëmbyer nga shteti Serb gjatë luftës gjenocidare që Serbia e ka bërë në Kosovë, e gjithë këta civil ende vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Gjithashtu, shefi i GP NISMA, tha se, me datën 28 shtator 2020, në një televizion të Serbisë, ish Ministri i jashtëm, tash kryetar i Parlamentit të Serbisë Ivica Dacic, fajësoj dhe kërcënoj serbët që tregojnë se ku ndodhen varrezat masive me civilë shqiptar në territorin e Serbisë.

“Të gjithë ata që kanë njohuri për periudhën e luftës në Kosovë e dinë fare mirë se Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Ministrit të Informatave në qeverinë e atëhershme të Serbisë, dhe Ivica Daçiq, në cilësinë e zëdhënësit të Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit, ishin dy figurat politike më të angazhuara në strategjinë e fshehjes së gjurmëve të gjenocidit që ky shtet kishte kryer kundër shqiptarëve”, ka thënë Shala.

Po ashtu, deputeti Shala ka thënë se,  për Nismën Socialdemokrate nuk ishin të papritura deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kur mohoi përgjegjësinë e shtetit të Serbisë në aktin e gjenocidit në fshatin Reçak dhe kur u përpoq që për masakrimin e civilëve shqiptarë në këtë fshat të fajësonte William Ëalkerin dhe ushtarët e UÇK-së, siç nuk janë të papritura kërcënimet e Ivica Daçiqit drejtuar qytetarëve të Serbisë që tregojnë se ku janë të fshehura kufomat e civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Shala ka thënë se, në kohën kur Serbia zbatoi politikën e gjenocidit në Kosovë ajo kishte vetëm një qëllim; të shkatërronte shqiptarët si grup kombëtar, etnik dhe fetar i ndryshëm nga serbët! Mjaftonte të ishe shqiptar dhe me automatizëm shndërroheshe në objekt që duhej shkatërruar përmes vrasjes, dhunës seksuale apo spastrimit etnik, ka thënë Shala.

“Unë bashkë me deputetët kërkues të këtij debati, kërkojmë dhe poashtu besojmë që pas përfundimit të debatit, nga ne si Kuvend i Republikës së Kosovës, si përfaqësues legjitim të popullit të Kosovës, ti kërkohet BE-së, SHBA-ve dhe institucioneve relevante ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më shpejtë që të jetë e mundur, për ta detyruar Serbinë të ndriçojë tërësisht fatin e këtyre civilëve të zhdukur”, ka theksuar shefi i GP NISMA-AKR, Endrit Shala./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme