Rigerta Loku zbulon se me kë parti do të kandidojë

15:49 | 3 Nëntor 2020
L G

Në vitin 2017, Rigerta Loku, përloti të gjithë me fjalimin e saj në Kuvend. Tani pas 3-vitesh, ajo ka njoftuar se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

Ditën e sotme, Rigerta ishte e ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel ku zbuloi se me cilën parti do të bashkohej. Ajo rrëfeu se do të jetë krah Rudina Hajdarit, pasi gjithmonë e ka pëlqyer politikën që bën.

“Rudinën e shikoj si një vajzë të re, të shkolluar. Qëndrimet e saj politike më kanë pëlqyer shumë gjithmonë. Çdo gjë është në dorën e elektoralit shqiptar. Unë e di se është më e lehtë për të marrë vota nga partitë e mëdha, por unë dua votën e sinqertë që nuk është e shantazhuar”, tha Rigerta.

Ndërkohë e pyetur se pse sot, pas 3-vitesh mori këtë vendim, ajo tha se është “3 vjet më e madhe dhe më e përgjegjshme”.

“Sot jam 38 vjeç dhe mendoj se sot ka ardhur momenti. Jam e sigurt se nuk do të bëj ndonjë bum të madh, por dua të jap kontributin tim në vendin tim. Jam 3 vjet më e pjekur. Dua një votë ndryshe, më të sinqertë. Mirditorët e mi më kërkojnë që unë të bëhem zëri i tyre, nuk e them për krenari, por me shumë modesti. Të jem zëri i veriorëve të mi, malësorëve të mi”, shtoi ajo.

Moderatorët e pyetën nëse ka patur oferta nga partitë e mëdha, e Loku tha që jo, vetëm nga partitë e vogla.

“Partitë e mëdha s’më kanë ofruar asgjë, ndërsa partitë e vogla kanë dashur që unë të jem pjesë e tyre. Unë mendoj se mund të marr votat për të hyrë në Parlament. Nuk jam një produkt politik, por real. Nuk i sjell asnjë vend pune askujt, por do të shkoj në atë foltore nëse populli do, që unë të dërgoj zërin e tyre atje. Nëse do të bëhem deputete, unë do të jetoj aty ku jetoj tani, pranë njerëzve të mi”, vijoi ajo.

Ndërkohë tha se nëse nuk arrin që të bëhet deputete, më pas do të kandidojë për kryetare Bashkie në Mirditë. 

Të ngjashme