Google ADS

Rrëfimi zemërthyes i gruas së Gerd Muller për gjendjen shëndetësore të legjendës

12:31 | 3 Nëntor 2020
L G

Bashkëshortja e Gerd Muller ka dhënë disa detaje zemërthyese nga lufta e legjendës gjermane me demencën.

Kampioni i botës, i cili sot (3 nëntor) i ka mbushur 75 vjet, është duke jetuar me këtë gjendje që nga janari i vitit 2015. Gruaja e tij, Uschi, ka rrëfyer se ai ha shumë pak ushqim dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon i shtrirë në krevat.

“Ai ha shumë pak, e ka të vështirë të gëlltitë, qëndron në krevat thuajse 24 orë dhe ka pakëz momente zgjimi. Është moment i këndshëm kur i hap sytë për një çast. Nganjëherë përmes njërit sy bën shenjë për po dhe jo”.

“Gjithmonë ka qenë një luftëtar, gjithmonë ka qenë i guximshëm, gjatë gjithë jetës. I tillë është edhe tani”.

“Gerd fle drejt fundit të tij. I ka mbyllur sytë, po dremit, rrallëherë hap gojën dhe merr ushqim të zbutur. Është i qetë dhe i heshtur, ndërsa nuk mendoj se po vuan”, ka rrëfyer gruaja e Muller për Bild.

Demenca është një term i përgjithshëm për humbjen e kujtesës, të folurit, zgjidhjen e problemeve dhe aftësive tjera njohëse, që janë aq të rënda saqë pengojnë dhe vështirësojnë jetën e përditshme. Një prej formave më të shpeshta të demencës është sëmundja Alzheimer.

Muller kishte shënuar 68 gola në vetëm 62 paraqitje për Gjermaninë Perëndimore që e ka udhëhequr drejt Kupës së Botës në vitin 1974.

I quajtur ‘bomberi’, ai njëherësh kishte shënuar 552 gola për Bayern Munichun. Në karrierën e tij mbresëlënëse me bavarezët, ai fitoi katër trofe gjermane dhe tri evropiane. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme