“Biznesi nuk e përballon mbylljen e dytë në Shqipëri, gati për protestë”

00:18 | 2 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Teksa rritja e numri të të infektuarve në Shqipëri po shton rrezikun e masave kufizuese, biznesi shprehet i shqetësuar për këtë situatë. Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, thotë se biznesi nuk e përballon më një mbyllje të dytë. Ndaj nëse do të ketë një tillë, sipërmarrësit janë gati të dalin në protestë si në çdo vend tjetër të botës.

“Një mbyllje e dytë apo qoftë edhe vendosja e disa masave kufizuese të aktivitetit normal, për ne do të ishte e paimagjinueshme. Ende nuk e kemi marrë veten nga izolimi i parë, aq më tepër ne në Durrës, që u prekëm dhe nga tërmeti. Ndaj çdo masë kufizuese e aktivitetit ekonomik do të shoqërohet me protesa nga ana jonë, pasi nuk mund ta përballojmë. Vetëm nga dy krizat e njëpasnjëshme, tërmeti dhe pandemia, biznesi në Durrës ka nxjerrë nga puna rreth 35 mijë vetë.”

Isteri thotë se edhe pse procesi i rindërtimit ka nisur në këtë qark, firmat që kanë fituar tenderin nuk janë nga Durrësi, sikundër ne kërkuam, në mënyrë që paratë të qarkullonin në zonë.

Ndaj aktviteti ekonomik pritet të jetë i vështirë të paktën deri në 6 muajt e parë të 2021./medial/

 

Të ngjashme