40 vjet ushtarak, Gjenerali në pension që i shërbeu atdheut me nder e përgjegjësi

11:07 | 31 Tetor 2020
Arbresh.info

Ti shërbesh atdheut është nder dhe përgjegjësi, por gjenerali në pension  Bedri Zeqiri kishte forcën, guximin dhe vullnetin për të bërë një gjë të tillë në çdo kohë.

Ai shërbeu plot 40 vjet në uniformën e ushtarakut, dhe pikërisht në dyzetvjetorin e fillimit të karrierës ushtarake, mori  gradën e nderit gjeneral dhe u pensionua, vitin e kaluar, si epror i lartë i FSK-së.

Ti shërbesh atdheut është nder dhe përgjegjësi, por Bedriu kishte forcën, guximin dhe vullnetin për të bërë një gjë të tillë në çdo kohë.

Ai në të mirë të vendit shërbeu si pjesëtar i UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së.

“Pas mbarimit të shkollës fillore në Shtime, kam vazhdu shkollën e mesme ushtarake në Beograd, pastaj kam vazhdu akademinë ushtarake të marinës në Split, të Kroacisë”.

E kur arriti kualifikimin, dëshira e tij ishte që të kontribuonte edhe në vendlindje.

Zeqiri që tashmë jeton në Ferizaj, tregon se si nga një ish-epror, përfundoi si i burgosur e deri te bashkëngjitja në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në ish-armatën jugosllave kam qëndrua deri në vitin 1991 kur filloi lufta, dhe atëherë më patën burgos. Pas daljes nga burgu shkova në perëndim, pastaj me fillimin e luftës në Kroaci kam ardh këtu dhe ju kam bashkëngjitë luftës”, vazhdon rrëfimin e tij për arbresh.info.

Ndonëse kishte fituar simpatinë e ushtarëve kroat, ai tregon edhe torturën që ushtarët shqiptarë kishin, pas trazirave që ndodhën në Kosovë në vitet e 80’ta.

Për të si shqiptar ishte mjaft e vështirë vazhdimi i qëndrimit në territorin kroat.

“Në shkollat e mesme ushtarake të Kroacisë ka pas edhe ushtar të tjerë të Kosovës. Kurse në akademinë ushtarake kam qenë i vetëm dhe pastaj jam bë komandant i anijes si i vetmi shqiptar.  Të themi të vërtetën ka qenë e vështirë me kanë epror dhe shqiptar në atë periudhë, nga viti 1991 deri kur filloi lufta në Kroaci. Pastaj me fillimin e luftës në Kroaci filluan edhe përbuzjet për shqiptarët”.

E me të dalë nga burgu shkaku i shpartallimit të ish-Jugosllavisë, atëbotë Bedriu mori rrugën për në kurbet për tu kthyer sërish në Kosovë, por me një mision tjetër.

Bashkëngjitja në radhët e UÇK-së, ishte fillimi i një epoke të re për të.
E me uniformën e ushtrisë së Kosovës, ai edhe i dha fund karrierës si ushtarak vetëm se në një periudhë tjetër të jetës e në rrethana të tjera.

“Burgosja ime ka ardh pas shpartallimit të ish-Jugosllavisë dhe s’desha të jem nën shërbim të ushtrisë serbe. Me përfundimin e luftës kam qenë komandant i kazermës në Ferizaj, pastaj në kazermën në Prishtinë. Nuk kam qenë në Kroaci shkaku i ndalesës nga ana e Serbisë pasi që kërkoheshim, sepse kemi qenë pjesë e UÇK-së. Një libër jam duke e menduar të shkruaj krejt jetën time nga shkuarja në Beograd”.

Tashmë kur gjërat kanë ndryshuar e misioni i tij i ushtarit ka mbetur vetëm kujtim dhe periudhë e lavdishme e jetës së tij, Zeqiri ka një brengë për trajtimin e ish-ushtarëve të UÇK-së.

“Nuk gjykohen të gjitha krimet, por vetëm ushtarët e UÇK-së. Kjo është një krim i dytë”./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme