Google ADS

Fushatë arabe për zëvendësimin e produkteve franceze me ato turke

15:00 | 30 Tetor 2020
Arbresh.info

Vazhdon zemërimi nëpër vendet arabe dhe muslimane për deklaratat fyese në lidhje me Islamin.

Ka filluar një fushatë për zëvendësimin e produkteve franceze me ato turke pas zemërimit në të gjithë botën arabe dhe muslimane kundër Francës për qëndrimet e saj anti-islame.

“Të vrasësh dy zogj me një gurë” ishte një nga fushatat që u bë virale në mediat sociale në të gjitha vendet arabe.

Fushata bën thirrje për zgjedhjen e produkteve turke si një shenjë respekti për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe qëndrimin e tij koherent kundër deklaratave të homologut të tij francez, Emmanuel Macron, i cili doli në mbrojtje të karikaturave fyese të Profetit Muhamed.

Aktivistët arabë të mediave sociale publikuan foto të produkteve franceze së bashku me alternativa nga produktet turke.

“Të vrasësh dy zogj me një gurë, unë bojkotoj produktet e atyre që fyen Profetin tonë dhe mbështes produktet e atyre që qëndruan kundër fyerjeve të tilla”, shkroi një përdorues i Twitter-it, Ali Qatari.

“Unë mbështes fushatën e zëvendësimit të produkteve franceze me ato turke dhe mbështes fushatën popullore në mbështetje të Turqisë”, shkroi Sam Duba.

Fushata u nxit nga një lëvizje që u ndërmor nga sauditët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të filluar një bojkot të produkteve turke.

Më 2 tetor, Macron njoftoi një plan të diskutueshëm për të trajtuar atë që ai e quan “separatizëm islam” në Francë, duke pretenduar se besimi Islam është në “krizë” në të gjithë botën dhe duke premtuar të “çlirojë Islamin në Francë nga ndikimet e huaja”.

Javën e kaluar, ai mbrojti karikaturat blasfemuese të Profetit Muhamed, duke thënë se Franca “nuk do të hiqte dorë nga karikaturat”, pas vrasjes brutale të mësuesit të shkollës së mesme, Samuel Paty, i cili tregoi karikaturat provokuese në një klasë.

Të paktën 73 xhami, shkolla private dhe vende pune në Francë, një vend që ka pakicën më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore me rreth 5 milionë, janë mbyllur deri më tani këtë vit, sipas Ministrisë së Brendshme franceze./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme