Google ADS

Nxirren të pajetë nga nëntoka trupat e dy punëtorëve dhe inxhinieri që humbën jetën në minierën e Selishtës

19:21 | 29 Tetor 2020
Arditë Shkodra

Tre trupa të pajetë janë nxjerrë orët e para të mëngjesit të sotëm nga miniera e Selishtës në Dibër. Dy punëtorët, bashkë me pronarin e galerisë, njëkohësisht inxhinier, u futën brenda galerisë që ishte mbyllur që prej vitit 2015 për të nxjerrë krom por nuk mund që të dilnin më prej nëntokës. Viktimat janë identifikuar si: Ismail Hoxha, rreth 62 vjeç me detyrë inxhinier miniere dhe dy punëtorët Fatos Çesku dhe Rruzhdi Rrushiti; përkatësisht 55 dhe 29 vjeç.

Paraprakisht dyshohet se tre viktimat kanë ndërruar jetë pasi janë asfikuar nga një rrjedhje gazi brenda në minierë, megjithatë trupat e tyre janë dërguar në morg, ku edhe do të vërtetohet edhe shkaku i vdekjes. Sipas të dhënave, miniera nuk ishte e pajisur me një sistem ajrimi, ç’ka dyshohet se i ka kushtuar edhe jetën tre personave.

Ata ishin bllokuar prej ditësh disa dhjetëra metra nën tokë dhe vetëm pasditen e djeshme, vëllai i inxhinierit Ismail Hoxha, Sami Hoxha kishte vënë alarmin për zhdukjen e tij. Inxhinieri gjithashtu ishte edhe pronari i minierës në Selishtë.

Për të gjetur trupat e tyre u ngrit një grup avari-shpëtimi, të cilët të ndihmuar nga banorët e zonës u futën në galeri. Fillimisht u gjetën sendet personale të punonjësve dhe inxhinierit dhe vetëm 100 metra më larg edhe trupat e tyre të pajetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme