Google ADS

Reçica: Shumë shpejt unifikimi i tregut të punës me Shqipërinë

00:04 | 28 Tetor 2020
Trina Galanxhi

Afërsia gjeografike dhe gjuha e përbashkët janë dy avantazhe të mëdha që Shqipëria dhe Kosova duhet të shfrytëzojnë për të pasur një bashkëpunim më të mirë tregtar, por edhe ekonomik në tërësi.

Gjatë dy viteve të fundit, dy qeveritë kanë zhvilluar disa mbledhje të përbashkëta dhe kanë nënshkruar me dhjetëra marrëveshje. Si po ndodh zbatimi i këtyre marrëveshjeve? Si mund të zhvillohet më tej bashkëpunimi ekonomik mes dy shteteve? Mbi të gjitha, si po e përballon Kosova krizën e pandemisë, e cila fatkeqësisht ka goditur tashmë të gjithë globin? Përgjigje këtyre pyetjeve i dha Skënder Reçica, ministër i Punës së Kosovës, në një intervistë në A2.

Fillimisht, Reçica veçon marrëveshjen e fundit të nënshkruar mes dy qeverive, atë që do të unifikojë tregun e punës. Ai thekson se shumë shpejt, një qytetar nga Kosova mund të kërkojë punë lehtësisht në Shqipëri apo e kundërta.

“Po koordinohen aktivitetet dhe punët e përbashkëta në dobi të qytetarëve tanë. Në mbledhjen e fundit të dy qeverive, unë pata fatin që të nënshkruaja marrëveshjen për mobilitetin në punë. Kjo marrëveshje hap mundësinë e unifikimit të tregut të punës. Ky është një lajm i mirë për të gjithë punëkërkuesit, por edhe punëdhënësit. Fati i mirë është se këtë marrëveshje nuk e kemi firmosur për ta lënë në letër. Është në procedurë të fillimit të implementimit. Konform kësaj marrëveshje, ne jemi duke bërë të gjitha veprimet e nevojshme dhe unë uroj dhe besoj që kjo marrëveshje së shpejti do të jetësohet. Së shpejti, një qytetar i Shkodrës do të jetë i lirë të kërkojë punë në Prishtinë, apo një nga Prizreni mund të kërkojë punë në Korçë apo Gjirokastër, sikur në qytetin e tij të lindjes. Kjo marrëveshje është hapi i parë drejt heqjes së burokracive”, u shpreh ministri.

Më tej, Reçica foli për ndikimin e pandemisë në ekonomi. Ai theksoi se qëndrueshmëria e shifrave gjatë muajve të verës ndikoi që ekonomia të nisë ringritjen.

“Pandemia gjunjëzoi ekonomitë më të zhvilluara të botës. Në vendet si Kosova apo Shqipëria, me ekonomi jo shumë të zhvilluar, izolimi ka lënë shumë gjurmë në zhvillimin ekonomik dhe në humbjen e shumë vendeve të punës të qytetarëve të vendit tonë. Nuk ka qenë e lehtë kjo periudhë të menaxhohet, në një shtet ku mundësitë janë të vogla. Megjithatë, fati i madh deshi që në periudhën e verës kishim një qetësi nga koronavirusi, falë edhe menaxhimit më të mirë dhe u krijua një stabilitet më i qëndrueshëm. Kjo krijoi një mundësi për rifreskim të zhvillimit ekonomik. Pati një ringjallje për së dyti, falë edhe masave të ndërmarra”, tha Reçica.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme