Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri thirrje të hënën që turqit të mos blejnë kurrë mallra franceze.
Ai u bëri thirrje gjithashtu udhëheqësve të Bashkimit Evropian të ndalin atë që ai e quajti axhendë “anti-islamike” të presidentit francez Emmanuel Macron.
Zoti Erdogan tha të shtunën se zoti Macron ka një problem me myslimanët dhe ka nevojë për kontrolle të shëndetit të tij mendor, një deklaratë që e bëri Francën të tërheqë ambasadorin e saj nga Ankaraja.
Ai bëri komente të ngjashme të nesërmen dhe përsëri të hënën.
“Ashtu siç thonë ata në Francë ‘mos blini mallra të markave turke’, unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mi që të mos i ndihmojnë kurrë markat francize, të mos i blejnë ato,” tha zoti Erdogan.
Franca është burimi i 10-të më i madh i importeve të Turqisë dhe tregu i shtatë më i madh për eksportet turke, sipas Institutit Statistikor të Turqisë.
Automjetet franceze janë ndër më të shiturat në Turqi.
Presidenti Macron ka deklaruar se do të luftojë “separatizmin islamik”, i cili, sipas tij, po kërcënon të uzurpojë disa komunitete myslimane të Francës.
Vendi është tronditur nga ngjarja e këtij muaji, kur një militant islamik i preu kokën një mësuesi francez, si hakmarrje ndaj përdorimit prej tij të karikaturave të Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi për lirinë e shprehjes.
Turqia dhe Franca janë të dyja anëtare të NATO-s, por kanë patur mosmarrëveshje për çështje të tilla si Siria dhe Libia, juridiksioni detar në Mesdheun lindor dhe konflikti në Nagorno-Karabak. –
Parashikimi i motit për sot
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?