Veliaj: Zhdukëm renë e tymit të djegies së mbetjeve në Sharrë, e bëmë më shpejt, më lirë dhe më mirë

16:29 | 24 Tetor 2020
Arbresh.info

Nga Dajti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj riktheu në vëmendjen e qytetarëve renë e madhe të tymit që krijohej nga mosmenaxhimi i mbetjeve në Sharrë, gangrenë mjedisore me kosto të lartë shëndetësore për çdo banor të kryeqytetit.

“Sot, – tha Veliaj, – reja që nxinte nga ballkoni më i bukur i Tiranës është zhdukur dhe këtë e kemi bërë më shpejt, më lirë dhe më mirë se ata që e lanë për 30 vite tymin në mushkëritë e qytetarëve”.

“Mbaj mend atë renë e verdhë që vinte nga Sharra, – ata në Sharrë, në Kombinat, në Lalm, Allgjatë, në Vaqarr, e dinë fare mirë se nga çfarë kanë shpëtuar, – edhe këtu nuk hapnim dot ballkonet, dritaret, edhe ne këtu që, metaforikisht jemi dritarja dhe ballkoni i Tiranës, dhe thonim “kur do shpëtojmë?”. Kemi shpëtuar nga djegia në Sharrë dhe e kemi bërë 30% më lirë. Është e vetmja statistikë që na duhet. Nëse ne e bëjmë diçka më lirë, më mirë, më shpejt, me cilësi më të lartë në kohë rekord, ne jemi ata që i japin dum edhe problematikave 30 vjeçare,” u shpreh kryebashkiaku.

Duke përshëndetur çdo të ri dhe të re që i është bashkuar Partisë Socialiste, Veliaj deklaroi nga Asambleja Socialiste e Dajtit se për këtë forcë politike nuk ka rëndësi mbiemri apo reputacioni. Ajo që vlen është forca dhe talenti për të kontribuar në familjen më të madhe sot të shqiptarëve.

“Kushdo që zgjedh të jetë pjesë e një familjeje, e cila respekton meritën, talentin, fakti që në këtë parti nuk të pyet njeri je gocë kryeministri, je gocë kryetari partie ose deputeti, je çun ministri, e ke babin kështu, apo ashtu. Në partinë tonë mjafton zelli, talenti, dëshira për punë, mëngët e përveshura për t’ia arritur gjërave me talent dhe djersë, për anëtarësinë. Ne jemi familja më e madhe e shqiptarëve, ndaj dhe sot ne kemi një super mision për të çuar përpara mandatin e tretë të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste në krye të punëve të vendit,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se në anën tjetër, Partia Demokratike po ndjek politikën e përjashtimit nga radhët e saj edhe të figurave protagoniste ndër vite të kësaj force politike, siç u la jashtë së fundmi pas Klevis Balliut edhe Ervin Salianji.

“Ne jo vetëm qeverisim mirë familjen tonë të majtë, por jemi gati t’iu shërbejmë të tjerëve me besnikëri dhe përulësi. Shihini pak ata! Ata gëzohen dhe thonë, “shumë sukses, sot u eliminua Klevisi, sot u eliminua Salianji…”. Ata funksionojnë si “Big Brother”, se kë do eliminojmë sot nga shtëpia; ne funksionojmë si një familje e madhe, që gëzohet për dhëndër, nuse, bijë e bir, për çdo bebe që shtohet në familje,” deklaroi Veliaj./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme