Hamilton, pa kontratë për vitin 2021: Për momentin mendoj vetëm për titullin

13:12 | 23 Tetor 2020
A. B.

Lewis Hamilton mund të jetë në rrugën e duhur drejt titullit të tij të shtatë në Formula 1, por britaniku nuk ka kontratë për vitin 2021.

Sidoqoftë, Hamilton nuk i intereson dhe nuk duket se ka një përgjigje përfundimtare për momentin.

Kryesuesi i Botërorit po drejton njëvendëshen e Mercedesit që nga viti 2013, pas një bashkëpunimi me McLaren.

Lewis ka dominuar në vitet e fundit, sidoqoftë, gjashtë herë kampioni i botës nuk nxiton të nënshkruajë një kontratë të re.

“Normalisht, kur ulemi dhe flasim për këtë, ne planifikojmë për tre vjet. Sidoqoftë, tani jemi në një kohë tjetër. A dua të vazhdoj për tri sezone? Edhe kjo është një pyetje, ashtu si ka kaq shumë pyetje pa përgjigje. Ne po hyjmë në një epokë të re sa u përket makinave për vitin 2022, kështu që kjo është emocionuese dhe unë jam kurioz të shoh se si do të duken ato makina.”

Për sa kohë që Hamilton nuk e ka titullin e tij botëror në xhep, ai nuk dëshiron të mendojë ose të flasë për një kontratë të re:

“Do të duhet të shkojmë rreth tryezës dhe të bisedojmë, por për momentin nuk është përparësi. Së pari, duhet të sigurohem që këtë sezon do ta arrij objektivin tim. Kjo është përparësia ime për momentin dhe e vetmja gjë që po bëj.” /SS/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme