Pritet vendimi për masën e paraburgimit, mbrojtja thotë se nuk ka prova konkrete

12:39 | 22 Tetor 2020
Arbresh.info

Labinot Gruda, zyrtar në Ministrinë e Financave gjegjësit Departamenti i Thesarit, i cili është i dyshuar për transferimin e mbi 2 milionë eurove nga llogaria e Thesarit të Shtetit, ka dalur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca ka filluar me vonesë pas orës 11:00, ndërkaq Gruda, është përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, raporton arbresh.info.

Avokati i të dyshuarit, Veton Rrecaj pas përfundimit të seancës ka thënë se ende nuk iu është caktuar masa për klientin e tij, ky vendim pritet pas orës 13:00.

“Është mbajtur gjykata më lidhje me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. I mbrojturi im është vetëm i dyshuar për një vepër për keqpërdorim të pozitës zyrtare e jo i akuzuar. Prokurori nuk na paraqiti provë konkrete që do ta mbështeste një pretendim të tillë. Kërkesa ishte e supozuar dhe nuk u argumentua. I mbrojturi im dyshohet për një transaksion prej 2 milionë eurove që nuk është e saktë”, ka thënë avokati Rrecaj.

Ai ndër të tjera ka thënë se janë duke pritur për masën e klientit të tij, si të dyshuar.

“Jemi duke pritur vendimin dhe shpresoj që gjykata të mos caktoj masën e paraburgimit. Ne kemi propozuar ta pyesim ministren se ku janë ato mjete që ka thënë se janë te sigurta. Ajo duhet të jap sqarime se prokuroria thotë se ato para nuk janë të sigurta”, ka thënë avokati i Grudës, Veton Rrecaj.

Ai po ashtu ka thënë se do të paraqesin ankesë në instanca më të larta./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme