Gjashtë ndeshje, asnjë fitore: Llapi ka hequr dorë nga Evropa

12:09 | 22 Tetor 2020
A Z

Edhe pse ende nuk ka shijuar fitore në kampionatin e ri, Llapi nuk ka hequr dorë nga objektivi i famshëm dhe i kahershëm i tyre – kualifikimi në gara evropiane, shkruan Gazeta Express.

Skuadra e Tahir Batatinës pas gjashtë xhirove të para të kampionatit nuk ka arritur t’i fitojë më shumë sesa dy pikë pasi i ka regjistruar dy barazime e katër humbje, ndonëse edicionin e ri e kishte nisur me shumë përforcime dhe me synime për trofe.

Përkundër kësaj, në një prononcim për Gazetën Express, trajneri dhe njëkohësisht donatori i klubit të Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar se Llapi nuk do të heq dorë nga synimi për kualifikim në gara evropiane.

“Nuk i kemi pritur këto rezultate, por kështu e ka futbolli. Llapi edhe pse i ka vetëm dy pikë nuk lëkundet nga synimi i daljes në Evropë. Mbetet të shihet në të ardhmen”, tha Batatina për Express. Ai e ka shprehur bindjen e tij se Llapi do t’u kthehet rezultateve pozitive nga ndeshja e ardhshme me Arbërinë, skuadër kjo që deri më tani po luan shumë fort në Superligë ku veç sa është inkuadruar.

“Nga kjo javë skuadra do të reflektojë ndryshe dhe do të jetë një Llap më një fytyrë shumë më të ndritur, prapë Llapi do të jetë një skuadër që do të luftojë për tri pozitat e para”, shtoi ai.

Për rezultatet e dobëta të deritanishme të Llapit ekspertët kryesisht e fajësojnë trajnerin Batatina, i cili gjatë afatit kalimtar kishte bërë numër shumë të madh transferimesh të lojtarëve, me çka në shprehje vjen vështirësia e komponimit të shpejt të ekipit.

“Kemi transferuar shumë lojtarë, por jo pesëmbëdhjetë. Pesë nga ta janë lojtarë për të ardhmen dhe në të ardhmen ata do ta ndihmojnë shumë skuadrën e Llapit. Komponimi kërkon pak kohë, por shpresoj që nga ndeshja me Arbërinë do të duket një fytyrë tjetër e Llapit”, tha ai.

I pyetur nëse e ka menduar dorëheqjen nga posti i trajnerit pas një fillimi dëshpërues, Batatina tha: “Sa i përket kritikave dhe gjërave se a do të qëndrojë apo jo tek Llapi, nuk kam kohë që të merrem me persona që i kanë vetëm 50 cent për një makiato dhe nëse kërkon dikush redbull, ata e kane harruar kuletën në shtëpi, nuk merrem fare me ta, projekti i Llapi është projekt afatgjatë”, u shpreh Batatina.

Llapi momentalisht është i fundit në renditjen tabelore me vetëm dy pikë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme