Reagon këshilltarja e zv.kryeministres pas shkarkimit, dyshohet se babai i saj ishte i përfshirë në vjedhjen e 2 milionë eurove

11:07 | 22 Tetor 2020
Arbresh.info

Ish këshilltarja e zëvendës kryeministres Albulena Balaj, Hajrie Gashi ka reaguar pas shkarkimit nga detyra.

Gashi u shkarkua pasi po dyshohet se prindi i saj është i përfshirë në rastin e vjedhjes së 2 milionë eurove nga thesari i shtetit, shkruan Arbresh.info.

Ajo nuk ka mohuar asgjë nga raportimet e mediave dhe ka thënë se ndihet e lumtur për mundësinë që e kishte.

“Duke qenë e vetëdijshme për ndjeshmërinë e madhe publike të rastit të vjedhjes së 2 milionë eurove ku sipas raportimeve të mediave është përfshirë prindi im. Unë pranoj vendimin e zv.kryeministres znj. Albulena Balaj Halimaj për të më liruar nga detyra. Jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese për mundësinë që me ka dhënë të punoj me të në cilësinë e këshilltares”, ka shkruar Gashi.

Ish këshilltarja u lirua nga detyra mbrëmë me vendimin e zëvendëskryeministres Balaj, e cila tha se Gashi ka qenë nja nga këshilltaret më të përkushtuara.

“Pas raportimeve në media se prindi i këshilltares sime Hajrie Gashi është i përfshirë në vjedhjen e mbi 2 milion eurove, kam marrë vendim që znj Hajrie Gashi ,me efekt të menjëhershëm, t’a liroj nga detyra e këshilltares. Znj Hajrie që nga fillimi ka qenë ndër këshilltaret e përkushtuara jashtë mase dhe me sukses ka kryer të gjitha detyrat e ngarkuara nga unë! Edhe pse jam e vetëdijshme që askush nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e familjarëve të tij, në këtë rast të saj, për shkak që kemi të bëjmë me një krim shumë të rëndë, lirimin e saj nga detyra e shoh si të domosdoshëm. Këtë vendim e kam marrë për të hequr çdo dyshim para qytetarëve se funksioni i lartë i këshilltares do të mund të përdorej për pengim të drejtësisë!”, ka shkruar Balaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme