Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka thënë se Kosova është një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran, jo më pak se Estonia, Belgjika apo Gjermania.
Ajo ka thënë se pranimi i këtij realiteti është çelësi i progresit politik dhe paqes së qëndrueshme.
“Është baza e vetme për një zgjidhje të çështjeve që ndajnë Serbinë dhe Kosovën. Sapo të pranohet ky realitet i pashmangshëm, rruga përpara është e qartë dhe e ardhmja mund të fillojë nesër”, ka thënë ajo në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, transmeton arbresh.info.
Meliza Haradinaj-Stublla në fjalën e saj ka thënë se populli i Kosovës vazhdon të kërkojë drejtësi, 21 vjet pas luftës për krimet e kryera nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë.
Ministrja e Jashtme në fund të fjalimit të saj tha se konfirmon edhe sot se Kosova është e gatshme të ecë përpara drejt pajtimit përfundimtar – atëherë kur Serbia është gati për të vërtetën.
Fjalimi i plotë i Ministres së Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla në takimin Virtual të Këshillit të Sigurimit të OKB-së:
Z. President, [Z. Sekretari i Përgjithshëm], anëtarë të nderuar të Këshillit të Sigurimit,
Në emër të Republikës së Kosovës, dua t’ju falënderoj sinqerisht për mundësinë që t’ju drejtohem.
Gjithçka që po ju them sot është një shprehje e besimit dhe shpresës për të ardhmen e vendit tonë dhe rajonit tonë – bazuar në të vërtetën dhe realitetin e përvojës sonë.
Unë jam sot këtu para jush si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e një shteti sovran. Përfaqësoj një popull që ka vuajtur shumë sepse ka besuar në liri – dhe ende vazhdon të vuajë.
Vlerat tona janë vlerat tuaja, shpresat tona për fëmijët tanë janë të njëjtat shpresa që ju keni për fëmijët tuaj.
Z. President, duhet të kuptohet qartë se Kosova është një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran – jo më pak se Estonia, Belgjika apo Gjermania. Ky nuk është një argument apo pohim – është një fakt i pakundërshtueshëm dhe i pakthyeshëm – mbështetur nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010.
Pranimi i këtij realiteti është çelësi i progresit politik dhe paqes së qëndrueshme. Është baza e vetme për një zgjidhje të çështjeve që ndajnë Serbinë dhe Kosovën. Sapo të pranohet ky realitet i pashmangshëm, rruga përpara është e qartë dhe e ardhmja mund të fillojë nesër.
Z. President, kolegë – një gjykatë tjetër e Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi vendosi përfundimisht që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Republikës Federale të Jugosllavisë kryen sulm të gjërë dhe sistematik të armatosur ndaj popullatës civile shqiptare etnike të Kosovës, me qëllim të ndjekjes së shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe për të parandaluar kthimin e tyre.
E njëjta gjykatë e Kombeve të Bashkuara vendosi që spastrimi etnik synohej të arrihej përmes kryerjes gjithëpërfshirëse të krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të drejtës humanitare.
Dhe së fundmi, e njëjta gjykatë e Kombeve të Bashkuara vendosi – përfundimisht – që këto sulme ishin të koordinuara dhe ishin pjesë përbërëse të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, anëtarët e së cilës përfshinin udhëheqjen e lartë politike, ushtarake dhe të sigurisë kombëtare të ish-Jugosllavisë.
Populli i Kosovës vazhdon të kërkojë drejtësi, 21 vjet pas luftës. Më shumë se 13 mijë njerëz u vranë në sulmet ndaj qyteteve dhe fshatrave të Kosovës. Më shumë se 400 masakra, përfshirë 1 mijë e treqind fëmijë të vegjël duke mos kursyer edhe të moshës nën 18 muaj, 20,000 gra u përdhunuan, gjysma e të gjithë popullsisë u bënë refugjatë, një numër i madh i pronave u shkatërruan, të dhënat kadastrale dhe artefaktet kulturore u vodhën dhe nuk u kthyen më.
Këto nuk janë argumente apo pohime Z. President – këto janë fakte të provuara nga institucionet e Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu një fakt, Z. President, që udhëheqja politike dhe e sigurisë kombëtare që kreu këto krime përfshinte brenda radhëve të saj Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq, përkatësisht Presidentin aktual dhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë.
Serbia kurrë nuk e ka pranuar të kaluarën. Ajo mohon atë – vetëm vitin e kaluar, Vuçiq mohoi që masakra e verifikuar ndërkombëtarisht ndaj civilëve në fshatin Reçak të ketë ndodhur ndonjëherë – ishte, tha ai, “e trilluar!” Unë isha një fëmijë 15 vjeç – dhe e kujtoj qartë mjegullën e rëndë, dhimbjen e madhe dhe pikëllimin e tmerrshëm që ndjenin njerëzit e Kosovës atë ditë kur pamë masakrën e tmerrshme të asaj dite.
Siç e dini të gjithë, Serbia ka intensifikuar përpjekjet e saj për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshëm arrestimi, duke lobuar në shtete të vogla për të ashtuquajtur “tërheqje” e njohjes ndaj Kosovës, duke manipuluar kanalet e tyre mediatike me një rrjedhë të vazhdueshme të propagandës raciste, duke parandaluar pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të tilla si Interpoli, etj.
Serbia vazhdon të mirëmbajë dhe drejtojë strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të Kosovës. Nisur nga përfshirja në krim të organizuar, shumë aktivitete lidhen gjithashtu me qëllimin për destabilizim. Serbia vazhdon të refuzojë bashkëpunimin me institucionet demokratike të Republikës së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit, krimit ndërkufitar dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Kjo – për fat të keq – nuk përshkruhet në raportin e UNMIK-ut!
Propaganda agresive e Serbisë dhe lajmet e rreme sistemike, synojnë të kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe imazhin e përgjithshëm të Kosovës. Makineritë e rënda të Propagandës po përdoren nga Serbia për të ndërtuar në mënyrë të gabuar një konotacion negativ.
Vetëm për qëllime politike, Serbia vazhdon të keqpërdorë Kishën Ortodokse – e cila në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet burim i përçarjes dhe urrejtjes. Rasti më i fundit në këtë kontekst është ngjarja shumë provokuese e një prifti ortodoks i cili shkoi në Koshare – një vend ku është zhvilluar një nga betejat më të ashpra dhe të lavdishme gjatë luftës së fundit në Kosovë – duke hequr me forcë flamurin e bukur kombëtar shqiptar.
Kosova ndjek me shumë shqetësim aktivitetet që janë në kundërshtim të marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe së fundmi Administratës Amerikane dhe punës kolosale të Presidentit Trump për të përafruar vendet tona.
Le t’ia përkujtojmë z.Daçiq që Serbia nuk ka implementuar asnjë nga 33+ marrëveshjet teknike të nënshkruara në Bruksel para gati një dekade, e poashtu po vazhdon me shkeljen e marrëveshjes së Uashingtonit për normalizim ekonomik me Kosovën – si psh. pikën për Personat e Pagjetur, diversifikimin e energjisë, refuzimin e furnizuesve të pabesueshëm të rrjetit 5G, si dhe moratoriumin e stopimit të fushatës agresive të të ashtuquajturave “çnjohje” rreth të cilave nuk do duhej të angazhohej as formalisht as joformalisht.
Ndërkohë që Serbia vazhdon të kërkojë implementimin e marrëveshjes së Asociacionit, do të ishte mirë së pari të ndalë fushatën sistemike kundër shqiptarëve në Serbi (Medvegjë, Preshevë, e Bujanovc), duke pasivizuar adresat e tyre.
****
Këto janë fakte Z. President: këto janë realitetet e pashmangshme me të cilat merremi çdo ditë ne në Kosovë.
Ajo që ka ndodhur me familjet tona, me jetën tonë, nuk është një kujtim i zbehtë ose i largët. Shteti agresor, fqinji ynë, nuk e ka pranuar fajin e tij. Nuk i ka kthyer njerëzit tanë të zhdukur, ose të dhënat tona kadastrale, ose artefaktet tona kulturore. Nuk i ka kthyer as fondet e kursyera dhe pensionet e vjedhura të njerëzve tanë.
****
Sot, Z. President, trauma e Kosovës kuptohet më së miri në kontekstin e personave të zhdukur. Më shumë se mbi 1 MIJË e 6 QIND njerëz janë ende të zhdukur, të supozuar të vdekur.
Por si i përgjigjet Serbia asaj që duhet të jetë një çështje e thjeshtë humanitare? Vetëm 10 DITË MË PARË, Ministri Daçiq lëshoi një kërcënim të qartë ndaj cilitdo, përfshirë aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët guxojnë, citoj, të ‘rrjedhin informacione’ për varret masive të viktimave të luftës së Kosovës AKOMA TË MBAJTUR TË FSHEHUR NË VARREZA MASIVE NË Serbi.
Mohimi dhe mosndëshkimi i krimeve fatkeqësisht konfirmohet se është një politikë shtetërore e Serbisë – nga deklaratat e fundit të turpshme të zyrtarëve më të lartë qeveritarë. Rajoni nuk do të jetë i qëndrueshëm derisa të sigurohet drejtësia përfundimtare për njerëzit e Kosovës. Bota demokratike nuk duhet të heshtë për të nënkuptuar amnisti për krimet gjenocidale që Serbia ka kryer në Kosovë.
****
Z. President, kjo fushatë e vazhdueshme e urrejtjes dhe armiqësisë kundër një shteti fqinj është një ushtrim i një VULLNETI INTENSIVISHT TË SËMURË.
Në planin afatgjatë, kjo nuk arrin saktësisht asgjë. Po, kjo e dëmton Kosovën tani – vonon integrimin tonë të plotë në komunitetin global. Ajo dëmton ekonominë tonë. Zgjat periudhën e varfërisë. Por kjo gjithashtu dëmton Serbinë, politikisht dhe ekonomikisht. Dëmton rajonin tone të gjerë. Dëmton sigurinë ndërkombëtare. Dëmton Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
****
Z. President, kolegë, e vetmja rrugë përpara është pajtimi aktiv. Shumica dërrmuese e popullit të Kosovës dhe Serbisë dëshiron të ecë përpara – të mos harrojë të kaluarën, të mos lejojë që krimet e së kaluarës të mbeten pa u ndëshkuar – por të njohin dhe japin llogari për të kaluarën, me drejtësi dhe ndershmëri, dhe pastaj të ndërtojnë një të ardhme për të gjithë njerëzit tanë:
– Nga të gjitha kombësitë dhe etnitë;
– Ku ndryshimi përqafohet dhe festohet;
– Ku lulëzojnë të rinjtë;
– Ku tregtia dhe kultura përparojnë;
– Ku mirëqenia e popullit tonë dhe solidariteti ndërkombëtar janë objektivat tona të përbashkëta.
Kosova dëshiron fuqimisht të luajë rolin e saj aktiv në zgjidhjen e çështjes së fundit të mbetur nga luftërat në ish-Jugosllavi. Parimet për një zgjidhje janë të thjeshta dhe të qarta:
• Serbia duhet të pranojë faktin e shtetësisë së Kosovës, duke përfshirë këtu parimin e integritetit të saj territorial, karakterin unitar dhe rendin e saj kushtetues.
• Krimet e së kaluarës, kundër njerëzimit dhe pronës, duhet të vihen PËRPARA DREJTËSISË
• Trupat e të zhdukurve tanë duhet të kthehen menjëherë!
Z. President, në vitet e gjata që kur lufta në Kosovë përfundoi në 1999, Kosova ka bërë gjithçka që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Ne kemi respektuar dhe kemi punuar me institucionet ndërkombëtare.
Ju na kërkuat të kishim durim: ne ishim të durueshëm. Ne mishëruam në ligjet dhe kushtetutën tonë mbrojtjen më gjithëpërfshirëse për pakicat kombëtare në historinë njerëzore.
Ne e mbështetëm pa dyshim shtetin e së drejtës. Në një periudhë shumë të shkurtër kohe, ne krijuam një shtet funksional që mbron të gjithë qytetarët e tij në mënyrë të barabartë, dhe u bë një kampion dhe një yll i ndritshëm në rajon.
Sa i përket bashkëpunimit të Kosovës me Dhomat e Specializuara, konfirmoj sot këtu se Kosova gjithmonë ka besuar në Drejtësi, dhe asnjëherë nuk ka refuzuar bashkëpunimin, duke vendosur kështu një standard të lartë të lartësimit të vlerave demokratike të rendit e ligjit. Megjithatë, Kosova poashtu beson në luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së, dhe në prezumimin e pafajësisë së luftëtarëve të UÇK-së. Lufta e drejtë e UÇK-së ishte një luftë çlirimtare për vetëmbrojtje kundër regjimit kriminal dhe gjenocidal të Millosheviqit – dhe gjithmonë do të dëshmojë pastërtinë e saj.
Këto janë realitete Z. President. Republika e Kosovës është një shtet unitar, sovran me kufij të përcaktuar që nga viti 2008. Serbia do të argumentojë se ekziston një realitet alternativ – Rezoluta 1244 e vitit 1999. Unë thjesht do t’ju kujtoja se Rezoluta 1244 gjithmonë parashikonte që Kosova do të bëhej një shtet i pavarur i bazuar mbi citoj, ‘vullnetin e popullit’.
Të gjithë e dimë që Rezoluta 1244 është e skaduar, që ekziston vetëm në letër, dhe vetëm për një arsye – fuqinë e vetos të disa anëtarëve të këtij organi, e cila ushtrohet për arsye që nuk kanë asnjë lidhje me mirëqenien e Kosovës ose Serbisë. Tani është koha të ndalojmë përdorimin e vendeve tona si peng në gara më të mëdha politike. Vazhdimi i kësaj do të ishte e pamoralshme dhe kundërproduktive.
Z. President, anëtar të nderuar të Këshillit të Sigurimit – megjithëse duhet të japim llogari për të kaluarën, ne duhet të jetojmë në të tashmen dhe të planifikojmë për të ardhmen. Republika e Kosovës është e gatshme të vazhdojë të jetë një fqinje konstruktive dhe një anëtare e plotë e kontribuese ndaj bashkësisë ndërkombëtare të kombeve të lira.
Ka ardhur koha për të ecur përpara me vizion strategjik, vendosmëri dhe me shpejtësi.
Unë konfirmoj edhe sot se Kosova është e gatshme të ecë përpara drejt pajtimit përfundimtar – atëherë kur Serbia është gati për të Vërtetën.
FALEMINDERIT – ishte një nder i veçantë t’u adresohem sot.
FUND/arbresh.info
Adri dhe Iliriana sonte në mbështetje të Shqipërisë
Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë ndriçohet me ngjyrat e flam...
Miratohet me 75 vota pro në Kuvend buxheti i Shqipërisë për ...
Taksa mbi asetet e trashëguara bujqësore/ Fermerët në Britan...
Elshani: Personit të cilit i është gjetë armatimi lidhet me ...
Vuçiq konfirmon se do të vizitojë Moskën në maj