Zyra e Presidentit i është përgjigjur kërkesës së Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, me seli në Hagë, lidhur me kërkesën e tyre për informacion rreth propozimit të amendamentimit të nenit 162 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga ana e Presidentit të Kosovës, më 24 gusht 2020, raporton arbresh.info.
Në shkresën zyrtare të Zyrës së Presidentit sqarohen në detaje procesi dhe arsyet e propozimit të amendamentimit të nenit 162, gjegjësisht paragrafit 13 dhe 14 të
këtij neni të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Kosovës.
Siç përcaktohet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit, në këtë shkresë thuhet se Presidenti ia ka dërguar Kuvendit amendamentet kushtetuese, gjegjësisht Kryetares së Kuvendit znj. Vjosa Osmani-Sadriu dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe ka kërkuar që këto amendamente të adresohen për kontroll në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, që të sigurohet se ato nuk pakësojnë liritë dhe të drejtat që garantohen me Kapitullin II të Kushtetutës, para se amendamentet të vihen për aprovim në Kuvend.
“Përmes prononcimeve publike dhe më pas me shkresën e KSC-CC-2020-11 të pranuar në Zyrën e Presidentit më 08.10.2020 (Ref: 848/1) është kuptuar që Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, amendamentet e propozuara të Kushtetutës, më 18 shtator 2020 ia ka përcjellë Kryetares së Dhomës së Specializuar”, thuhet ndër të tjera në këtë shkresë, sipas së cilës, propozimi i amendamentimit të Nenit 162 është bërë pas një procesi të diskutimeve në Zyrën e Presidentit, ku është vlerësuar që Neni 162 [Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar] i Kushtetutës, gjegjësisht paragrafët 13 dhe 14 të këtij neni, kanë krijuar paqartësi në opinionin e gjerë kosovar lidhur me përfundimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Sipas formulimeve të paragrafëve 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare (5) nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek akterë të ndryshëm”, thuhet në sqarimet e Zyrës së Presidentit për Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë.
Për t’i shmangur këto paqartësi dhe për ta eliminuar çdo dilemë, aty thuhet se presidenti ka rekomanduar që të bëhen amendamentet e propozuara të Nenit 162 të Kushtetutës, gjegjësisht që paragrafët 13 dhe 14 të riformulohen.
“Sipas amendamentit të propozuar, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Pra, amendamenti i propozuar është harmonizim i Nenit 162 me atë që është përcaktuar në Ligjin nr. 04/L-274 për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë”, ka sqaruar Zyra e Presidentit.
Për më tepër, në këtë shkresë të Zyrës së Presidentit sqarohet se procesi i dërgimit të propozimeve në Kuvend është bërë në pajtim me Kushtetutën dhe duke marrë parasysh rastet paraprake. Aty thuhet se çështja e dërgimit të amendamenteve kushtetuese në Kuvend është praktikë standarde dhe shumë e qartë në Republikën e Kosovës.
“Çdo propozim i amendamenteve kushtetuese i adresohet Kuvendit, respektivisht Kryetarit të Kuvendit, i cili është i obliguar që çdo amendamentim ta adresojë për kontroll kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, që paraprakisht të vlerësohet nëse amendamentet e propozuara nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, para se amendamenti të vihet për aprovim në Kuvend. Ndërsa, siç është përcaktuar në Nenin 144 (3) të Kushtetutës, amendamentet kushtetuese mund të miratohen nga Kuvendi vetëm pasi Kryetari i Kuvendit të Kosovës ta ketë adresuar amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe pasi Gjykata Kushtetuese të vlerësojë që një amendament nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liri të përcaktuar në Kapitullin II të Kushtetutës”, thuhet në shkresën e Zyrës së Presidentit./arbresh.info/
Publikohet një video e Xuxit kur thoshte se nuk do të hynte ...
Ahmeti pret në takim Beauregard, e falënderon për mbështetje...
Vullneti tregon historinë e trishtë që i ka ndodhur në luftë...
Aktakuzë kundër pesë persona në Prishtinë për vepra penale q...
Shifrat/ Aksionet e rrjetit social të ish-presidentit Trump ...
Klubi shqiptar i mërgatës në Dusseldorf e Ballkani me superk...