Google ADS

Përurohet Palestra e Sportit në Deçan

15:53 | 20 Tetor 2020
A. B.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, sot përuruan Palestrën Sportive në Deçan, e cila ka kapacitet me mbi 1500 ulëse, projekt i infrastrukturës fizike, në të cilin ka investuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa vlera e investimit është mbi dy milionë euro.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Hoti, vlerësoi punën që është bërë në ndërtimin e këtij objekti sportiv i cili do të jetë në shërbim për sportistët deçanas.

“Është kënaqësi dhe nder që bashkë me Ministren Dumoshi dhe kryetarin Ramosaj të jemi në përurimin e kësaj salle të bukur, në këtë vend të bukur dhe në këtë ditë të bukur. Ministrja Dumoshi, me entuziazëm po i çon përpara projektet, që pas shumë viteve prej sa ka filluar të ndërtohet kjo palestër dhe që ka kaluar shumë ministra të kulturës, rinisë dhe sportit, por është me interes që sot është kompletuar kjo sallë, e cila është e standardeve ndërkombëtare”, tha ndër të tjera kryeministri Hoti, duke kujtuar faktin se Deçani, Peja dhe kjo rrethinë ka shumë sportistë të cilët në shumë sporte e kanë bërë krenarë tërë Kosovën.

Duke uruar sportistët për përurimin e sallës së re, Kryeministri Hoti tha se, bashkë me Kryetarin dhe Ministren, sapo të kalojë situata e pandemisë, do të kthehen për të parë lojëra të bukura në këtë sallë.

Ndërkaq, ministrja Dumoshi, u shpreh se ndjehet e lumtur që bashkë me Kryeministrin Hoti dhe Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, po përurojnë sallën për të cilën është pritur shumë vite.

Duke folur për programin e Qeverisë, ministrja Dumoshi tha se ndër prioritetet është zhvillimi i sportit dhe se vetëm në Deçan janë 18 projekte që MKRS-ja i përkrah. “Palestra është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare ku do të zhvillohen ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe kjo gjë flet shumë”, u shpreh ministrja.

E kryetari Ramosaj përmendi faktin se nuk ka pasur ndonjë ministër të sportit i cili ka vizituar më shpesh Deçanin se sa Ministrja Dumoshi, dhe Deçani i shpreh mirënjohjen ministres. Ai tha se është një nder për Deçanin edhe prezenca e Kryeministrit Hoti në këtë përurim.

Palestra ka nisur ndërtimin në vitin 2010.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme