Google ADS

Reagime të shumta në Kosovë pasi ambasadori Gashi shpërndau karikaturën e Profetit Muhamed

11:22 | 20 Tetor 2020
Arbresh.info

Reagime të shumta ka pasur në Kosovë pasi ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi në profilin e tij në Twitter (kliko KËTU për ta parë foton) ka shpërndarë karikaturat e Profetit Muhamed.

Ndaj këtij postimi të tij ka reaguar Bashkësia Islame e Kosovës, teologu Mustafë Bajrami, deputetja e Vetëvendosjes, Labinotë Demi Murtezaj etj.

Bashkësia Islame e Kosovës e ka quajtur të papranueshëm veprimin e ambasadorit.

“Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë. Populli ynë njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera”, thuhet në reagim.

“Këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe me veprimet e tij ti kontribuoj mos durimit e urrejtjes me bazë fetare. Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare. Po ashtu dënojmë aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri”, thuhet më tej në reagimin e BIK-ut.

Ndërkaq, teologu Mustafë Bajrami aktin e ambasadorit Gashi, e ka quajtur akt qyqar.

“Akt qyqar i këtij ambasadori. Ky njeri axhami duhet të kthehet urgjentisht në Kosovë dhe të merret në përgjegjësi. Në asnjë mënyrë ky nuk mund të më përfaqësojë mua e as familjen time. E mbështes fuqishëm reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës…!”, shkruan Bajrami në Facebook.

Ndërkaq, lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja e VV-së,Labinotë Demi Murtezaj si dhe ish deputeti Gëzim Kelmendi.

“Është i papranueshëm akti i përqeshjes së figurës së profetit tonë Muhammed (paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të) nga ambasadori ynë në Francë, Qëndrim Gashi. Ky veprim përbën skandal, dhe MPJ duhet të marrë masa për tërheqjen e Gashit nga detyra. Dikur i akuzuar për sponsorizimin e projekteve në shërbim të copëtimit territorial të vendit tonë, i lartpërmenduri vazhdon veprime të turpshme në shpërputhje të plotë me vlerat dhe përcaktimin që ka kultivuar populli ynë ndër shekuj”, shkruan Demi-Murtezaj.

“Vlerat tona kombëtare e fetare, kulturore e tradicionale, jo rrallë herë janë shpërfillur e nëpërkëmbur. Toleranca ndërfetare e ndëretnike janë integriteti ynë i mishëruar, edhe këto tashmë të goditura disa herë nga diplomatë e ambasadorë. Dënimet me fjalë e distancimi nga veprime të deritanishme të këtij lloji, nuk kanë prodhuar efekt asnjëherë. Andaj duhet veprim konkret në funksion të ndëshkimit dhe parandalimit të ndonjë akti tjetër të mundshëm të këtij lloji”, shkruan më tej.

 

 

Ndërkaq, ish deputeti Gëzim Kelmendi ka thënë se ambasadori Qëndrim Gashi në Francë nuk meriton vetëm të shkarkohet!

“Fyerja e Pejgamberit Muhamed Alejhiselatu ue selam përmes karikaturave nga ana e ambasadorit të Kosovës në Francë Qëndrim Gashit, është vepër penale dhe e dënuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ambasadori i Kosovën në Francë Qëndrim Gashi duhet ta dijë mirë se ai paguhet nga populli i Kosovës, dhe kjo vepër e tij është shumë e ulët dhe e pamoralshme”, shkruan ndër të tjera Kelmendi. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme