Chelsea mund ta fitojë Ligën e Kampionëve, thotë Lopetegui

09:14 | 20 Tetor 2020
A. B.

Trajneri i Sevillës, Julen Lopetegui, beson se Chelsea është ekip mjaftueshëm i mirë sa për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Chelsea nuk mundi të shkojë më larg se rrethi i 16 më të mirëve sezonin e kaluar, kur u rrëzua nga kampioni Bayern Munich me rezultat të përgjithshëm 7:1 pas dy ndeshjeve.

Të kaltrit i kanë fituar vetëm tetë pikë nga pesë ndeshjet e para në Premierligë këtë sezon dhe të shtunën e dorëzuan një epërsi prej dy golave për të barazuar 3:3 me Southamptonin të shtunën.

Trajneri Frank Lampard e fajësoi mungesën e përgatitjeve parasezonale për problemet me mbrojtjen në skuadrën e tij.

Por Lopetegui thotë se skuadra e tij, e cila përballet me Chelsean sonte në ndeshjen hapëse në Ligën e Kampionëve, ka po aq shumë arsye për t’u ankuar për mungesën e përgatitjeve për sezonin e ri.

“Nuk mund të komentoj për atë që e tha ai, por nëse dikush e kishte një parasezon jo normal, ata ishim ne. Nuk mendoj se duhet t’i shikosh këto gjëra shumë, por duhet thjesht të përqendrohesh për t’u përshtatur sa më mirë që është e mundur”, tha Lopetegui.

“Ne do të luajmë kundër një ekipi si Chelsea i cili mund ta fitojë Ligën e Kampionëve. Duhet të luajmë mirë ndaj tyre, kjo është e vetmja gjë që mund ta bëjmë”, shtoi ai. /Gazeta Express/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme