Mediat greke: Greqia do i tregojë Shqipërisë rrugën për në Hagë

23:58 | 19 Tetor 2020
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias nesër do të vijë në Shqipëri në një vizitë zyrtare ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit, teksa në “tavolinë” do të jenë çështjet e vjetra, mes të cilave, kryesorja kufiri detar. Po si e komentojnë mediat greke këtë vizitë?

Në një shkrim të gjatë ku analizon të gjithë historikun e çështjes së kufirit detar, liberale.gr shkruan se qëllimi i Dendias nesër në Tiranë është zgjidhja e ngërçit që ka lindur për caktimin e zonave detare midis dy vendeve, teksa Athina njoftoi se do të zgjerohej me 12 milje në Jon.

Por çfarë ndodh nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje?

Media greke shkruan se Greqia është e gatshme për të hartuar një draft të përbashkët me Shqipërinë për mosmarrëveshjen për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

“Sipas informacionit, në të ardhmen e afërt Greqia do të zgjerojë zyrtarisht ujërat territoriale në Detin Jon, siç është njoftuar tashmë në 12 milje. Nga kontaktet me lidershipin politik shqiptar nëse nuk gjendet përsëri mundësia për të bërë përparim në bisedimet dypalëshe, Greqia është gati për fillimin e negociatave për një draft të përbashkët për referimin e mosmarrëveshjes për shënjimin e zonave detare të dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë” thuhet në shkrim.

Por, thuhet më tej në shkrim, në gjykatën ndërkombëtare do të shkohet pasi Greqia të jetë zgjeruar me 12 milje. “Sidoqoftë, elementi i rëndësishëm është që çdo mundësi për në Hagë të vendoset pas shtrirjes së ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje”.

Nuk ka si të mos lidhet vizita e Dendias në Tiranë edhe me Turqinë. “Sigurisht, ky zhvillim nuk do të jetë i këndshëm për Turqinë, pasi jo vetëm që do të shohë që Greqia të ketë sukses dhe të kapërcejë pengesat për caktimin e zonave detare me vendin e tretë nga gjashtë kufijtë e saj detarë, por që edhe në këtë rast zbatohen parimet e Ligjit të Detit”.

Grekët bëjnë edhe një panoramë të situatës politike në Shqipëri. “Dendias viziton Tiranën, teksa Shqipëria marshon për zgjedhje në pranverë në një klimë të tensionuar politike, ku çështja e marrëdhënieve me Greqinë dhe caktimi i kufirit detar do të jenë në zemër të polemikave” mbyllet shkrimi.

Debati me Greqinë për detin u rindez, pasi Athina zyrtare deklaroi se do të zgjerohet me 12 milje në Jon. Kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se kjo çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë zgjidhet me ndihmën e palëve të treta, ose gjykatave ndërkombëtare./abcnews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme