ILO: Shpenzime sociale kundër varfërisë në rritje

22:14 | 19 Tetor 2020
Arbresh.info

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) bëri sot thirrje për shpenzime të qëndrueshme sociale dhe ndryshime të tjera për t’iu kundërvënë pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia e COVID-19.

“Ekonomia botërore duhet të gjejë një motor të ri, ose të paktën plotësues, të rimëkëmbjes ekonomike”, tha Guy Ryder, kreu i ILO-s, duke theksuar se vendet duhet t’u përgjigjen rreziqeve të varfërisë në rritje, papunësisë dhe pabarazisë.

Ai argumentoi se pandemia ka prishur rëndë blloqet themelore të përparimit ekonomik dhe shoqëror, përfshirë punësimin gjerësisht të disponueshëm, zhvillimin e aftësive, kushtet e denja të punës, sipërmarrjet e qëndrueshme, mbrojtjen e duhur sociale dhe rritjen e barazisë gjinore, si edhe rritjen e produktivitetit, fuqinë blerëse dhe besimin e konsumatorit dhe investitorit.

Trendet aktuale përkthehen në humbje thelbësore në të ardhurat e punës me një rënie të vlerësuar globale prej 10,7% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2020, krahasuar me periudhën korresponduese në 2019, që arrin në 5,5% të PBB-së.

Sipas ILO-s, si rezultat e kësaj, nivelet e varfërisë po rriten, kështu që masat e mbështetjes së të ardhurave për grupet e prekshme dhe të goditura rëndë duhet të jenë një përparësi e politikës./ATSh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme