‘Meta do të respektohet Marrëveshja e 5 qershorit, Ramën e shpartallon me ekip të paratërinjsh’

22:24 | 17 Tetor 2020
A. B.

Zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi, i është përgjigjur analistit Mustafa Nano, i cili deklaroi se presidenti Ilir Meta reagon në këtë mënyrë, pasi do të donte të ishte si palë në zgjedhje ose do të donte të ishte me opozitën në këto zgjedhje.

Blushi thekson se presidenti Meta nuk do këtë gjë, pasi ai e shpartallon Ramën nëse do të dilte në zgjedhje, por kreu i shtetit dëshiron të respektohet Marrëveshja e 5 qershorit dhe që Shqipëria të mos mbetet peng i një njeriu të papërgjegjshëm.

‘Disa pyetje për analistin Nano: A kemi garë kur një palë vetëm për interesin e saj më të ngushtë politik shkel Marrëveshjen që ka nënshkruar vetë?

A i shërben kjo interesit publik e kombëtar?

Kush e kërkon defaktorizimin e Shqipërisë me kaq këmbëngulje?

Nëse mazhoranca nuk reflekton dhe nuk respekton 5 Qershorin, Shqipërisë i mbyllet çdo mundësi për çeljen e negociatave me BE, jo deri në 25 prill 2021, por deri në zgjedhjet e tjera pas 25 prillit.

Ju kujtojmë të gjithëve se këto negociata Mali i Zi i ka çelur që në vitin 2012 dhe Serbia që në vitin 2014.

Ju kujtojmë se ish-Kryeministri Berisha e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në 2006-ën, ndërsa këto dy vende vite më vonë.

Pse Shqipëria, ku 95% të qytetarëve janë proeuropianë, duhet të mbetet peng i një politikani të papërgjegjshëm, i cili qartësisht është vetë peng i qarqeve më antishqiptare?

Ky është shqetësimi i vërtetë i Presidentit Meta dhe jo të hyjë në garë me Ramën, se atë e shpartallon me një ekip paratërinjsh në çdo moment.

Ndaj bashkohuni dhe ju z.Nano me fushatën e Presidentit Meta për respektimin e Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit.

Vetëm kjo i shërben paqes sociale dhe interesit të të gjithë shqiptarëve.

Le të vendosë populli si në Maqedoninë e Veriut.

As kaq s’mund të bëjmë?

Me konsideratë!’

Të ngjashme