Një gjykatë në Bosnjë e Hercegovinë të premten e dënoi një ish-komandant serb me nëntë vjet burgim për ndihmën që kishte dhënë gjatë ndalimit dhe vrasjes së mbi 800 burrave boshnjakë të Srebrenicës më 1995.
Këta burra ishin ndaluar nga forcat serbe të Bosnjës në ndërtesën e një shkolle në fshatin Rocevic, afër Zvornikut, dhe më pas ishin vrarë në brigjet e lumit Drina, shkruan Anadolu.
Sreçko Acimoviq, i cili shërbente si komandant i Batalionit II, të quajtur Brigada Zvornik, gjatë luftës në Bosnjë mes viteve 1992 dhe 1995, u shpall fajtor për ofrim të qëllimshëm të asistencës në datat 14, 15 dhe 16 korrik 1995 për anëtarët e një grupi të përbashkët kriminal, plani i të cilëve ishte ndalimi, ekzekutimi dhe varrosja e burrave të shëndoshë boshnjakë nga Srebrenica.
“Qëllimisht ofroi asistencë në ekzekutimin e planit dhe kryerjen e gjenocidit kundër boshnjakëve. I pandehuri ishte i vetëdijshëm se ata do të vriteshin, por ai, duke qenë në dijeni, kreu akte që e kishin për qëllim realizimin e planit për gjenocid”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Aty thuhet se Acimoviqi ka ofruar municion dhe ka urdhëruar që të ndaluarit të transportohen në brigjet e lumit Drina, ku u vranë dhe u varrosën afër një fabrike të vjetër. “Në atë ditë – 15 korrik 1995 – 818 burra nga Srebrenica u vranë”, tha gjykatësi Stanisha Gluhajiq.
Gjykata vlerësoi se ish-komandanti serb është përgjegjës edhe për krimet kundër civilëve boshnjakë në rajon, të cilat rezultuan në gjenocid.
Mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë të Bosnjës u vranë në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 nga forcat serbe, ndonëse ai vend ishte i cilësuar si zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Krimi ndodhi pavarësisht pranisë së trupave holandeze, të cilat ishin të caktuara si forcë paqeruajtëse ndërkombëtare.
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...
Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak mungesa e k...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...