Vendimi i kompanisë së medias sociale Twitter për të bllokuar përhapjen në platformën e saj të një artikulli për djalin e ish-nënpresidentit Joe Biden, Hunter Biden, ka ndezur edhe më tej debatin lidhur me fuqinë që gëzojnë kompanitë e medias sociale dhe si ndikojnë ato tek zgjedhjet në SHBA.
Disa e kanë përshëndetur vendimin e Twitter-it si pozicionim kundër dezinformimit. Të tjerët e kanë kritikuar duke e cilësuar si të njëanshëm dhe si kufizim të lirisë së fjalës në një mënyrë që ndikon tek zgjedhjet.
Javët e fundit, Twitter, Facebook dhe kompania Google, e cila zotëron edhe platformën e ndarjes së videove, YouTube, kanë marrë hapa gjithnjë e më të forta për të kufizuar përhapjen e dezinformimit dhe komenteve ekstremiste në faqet e tyre. Pas zgjedhjeve të vitit 2016, kompanitë online u kritikuan se nuk kishin bërë sa duhet për të ndalur dezinformimin në platformat e tyre.
Këtë javë, Twitter bllokoi disa llogari në faqen e saj, pasi u përpoqën të postojnë një artikull të gazetës New York Post ku citoheshin disa komunikime me email, që sipas gazetës ishin shkëmbyer mes Hunter Bidenit dhe një zyrtari ukrainas lidhur me planifikimin e një takimi mes babait të tij, Joe Biden, ndërkohë që ai ishte nënpresident i SHBA. Autorët e artikullit thonë se raportimi i tyre bazohej në të dhëna të nxjerra nga memoria e një kompjuteri që siç thuhej, kishte qenë në zotërim të Hunter Biden dhe ishte braktisur prej tij. Rudy Giuliani, jurist dhe këshilltar për Presidentin Donald Trump, siç njoftohet, ia dorëzoi memorien e kompjuterit (hard drive) gazetës New York Post.
Të enjten në mbrëmje, Twitter rishikoi politikat e tij për materialet që postohen në këtë platformë, duke thënë se nuk do të hiqte materiale që ishin nxjerrë nga hakerimi i një kompjuteri dhe se do t’i shoqëronte këto postime me komente për të ofruar shpjegime, por nuk do të bllokonte më ndarjen e tyre në platformën e saj.
“Duam t’u përgjigjemi shqetësimeve se mund të ketë pasoja të paparashikueshme ndaj gazetarëve, aktivistëve që ngrenë shqetësime për shkelje e abuzime si dhe të tjerëve dhe se këto pasoja janë në kundërshtim me synimin e Twitter-it për t’i shërbyer dialogut publik,” shkruante në Twitter Vijaya Gadde, shefi i kompanisë për politikat e operimit.
Artikulli i gazetës ende nuk mund të hapet nga postimi në Twitter, njofton rrjeti CNBC, me shpjegimin se artikulli përmban informata private.
Nuk ka pasur takime, thonë punonjës të fushatës
Përfaqësues të fushatës së zotit Biden thonë se e kanë “kontrolluar dokumentacionin e aktiviteteve zyrtare të Joe Bidenit nga ajo periudhë dhe nuk ka pasur asnjë takim të tillë, siç pretendon the New York Post”.
“Raportimet investigative të shtypit, gjatë procesit për shkarkimin e mundshëm të presidentit, madje edhe nga dy komisione të Senatit të udhëhequra nga republikanët, puna e të cilëve u kritikua si “jo-legjitime” dhe politike nga një koleg i tyre republikan, të gjitha dolën me të njëjtin përfundim: Joe Biden zhvilloi aktivitet zyrtar në emër të Shteteve të Bashkuara kundrejt Ukrainës dhe nuk ka kryer asnjë veprim të gabuar,” tha Andrew Bates, zëdhënës për zotin Biden.
Pa postime në Twitter, nuk ka përhapje
Duke cituar politikat e kompanisë për materiale të siguruara përmes hakerimit, Twitter bllokoi mundësinë e gazetës New York Post për të postuar komente në Twitter për artikullin e saj. Po ashtu bllokoi postimin e artikullit nga punonjës të fushatës së Presidentit Trump dhe llogari të tjera.
Facebooku tha se kishte kufizuar qasjen në këtë material për momentin, ndërkohë që pret të kontrollohet materiali nga një kompani e tretë që analizon faktet.
Lisa Kaplan, shefe ekzekutive e grupit Alethea, i cili dikton dhe analizon përhapjen e dizinformimit dhe kërcënimeve online, thotë se vendimet e fundit të kompanisë Twitter për të bllokuar disa postime janë shenjë e mirë.
“I përshëndes përpjekjet e Twitter-it dhe qëndrimin që po mbajnë në përgjigje të dizinformimit, në mënyrë që njerëzit të mos ndajnë një link që dihet se është i sajuar dhe mund të ketë implikime tek zgjedhjet,” thotë ajo. “Ky është një hap i rëndësishëm nëse vërtetë duan të jenë një burim informacionesh të sakta për përdoruesit”.
Përgjigjet Partia Republikane
Reagimi i republikanëve ndaj artikullit ishte i menjëhershëm. Republikanët e Senatit thanë të enjten se kanë thirrur për të dëshmuar javën e ardhshme zotin Jack Dorsey, shef ekzekutiv i Twitter-it. Zoti Dorsey duhet të shpjegojë “përse Twitter po abuzon fuqinë e saj si kompani për t’i mbyllur gojën shtypit,” tha Senatori republikan Ted Cruz.
Senatori Josh Hawley, republikan nga Mizuri, tha se i kishte dërguar një letër zotit Dorsey si dhe Mark Zuckerbergut, shef ekzekutiv i Facebookut, ku u kërkon të dalin para komisionit për të dëshmuar.
Vendimi i këtyre kompanive lidhur me artikujt e gazetës New York Post po e ndez më tej një debat të nxehtë të vitit të fundit: a janë këto kompani të ngashme me një organ shtypi që merr vendime redaksionale, apo janë thjesht platforma ku ndahen dhe përhapen informata nga përdoruesit me ndërhyrje fare të kufizuara të kompanive tek materiali i postuar.
Heqja e mbrojtjeve ekzistuese
Udhëheqës në Kongres, nga të dyja kahet politike po analizojnë nëse duhet t’i zhveshin këto kompani nga mbrojtjet ligjore, të cilat thonë se platformat e medias sociale nuk janë përgjegjëse për përmbajtjen e postimeve që bëhen në faqet e tyre. Të enjten, republikani Ajit Pai, kryetar i Komisionit Federal për Komunikimet, tha se agjencia që ai drejton po analizon mundësinë e dobësimit të mbrojtjeve ligjore që gëzojnë këto kompani.
Edhe disa demokratë kanë kërkuar zhveshjen e platformave të medias sociale nga disa mbrojtje ligjore.
Ken Paulson, drejtor i Qendrës për Lirinë e Fjalës në Universitetin Middle Tennessee” thotë se me vendimin lidhur me artikullin e gazetës New York Post, kompanitë e medias sociale nuk janë medoemos më pranë statusit të organaneve të shtypit.
“Nëse ke një biznes, gjëja më e padëshirueshme janë artikujt me sajesa. Në atë rast mund të thuash ‘Nuk jemi të gatshëm ta ndajmë këtë material me miliona përdorues në shkallë globale’. Këta kompani e kanë këtë të drejtë. Nuk mendoj se duhet t’i shohim Twitterin dhe Facebookun si kompani në shërbim të interesit publik. Po ashtu, nuk mendoj se bllokimi i një materiali që Twitteri beson se është i sajuar apo i pabesueshëm, e bën këtë kompani të ngjashme me një organ shtypi,” thotë zoti Paulson.
“Një kompani ka të drejtën të vendosë mbi parimet ku bazohet; kjo po ndodh tani në Twitter dhe Facebook,” thotë ai.
Për momentin dihet me siguri se me vendimet e përditshme që marrin kompanitë e medias sociale për të bllokuar apo kufizuar postimin e materialeve të caktuara, ligjvënësit do të kenë material të bollshëm për të mbështetur argumentet për ndryshimin e rregulloreve./VOA
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...