Njoftim me rëndësi nga ATK për tatimpaguesit

16:43 | 16 Tetor 2020
Arbresh.info

ATK-ja ka njoftuar sot se ka ndryshuar procedurat e pajisjes me Vërtetim Tatimor.

Administrata Tatimore e Kosovës me anë të një komunikate për media ka thënë se ka nxjerrë udhëzuesin me të cilin ndryshon procedurat e pajisjes me Vërtetim Tatimor. Qëllimi i këtij Udhëzuesi sipas ATK-së është informimi i personave/tatimpaguesve për procedurat që duhet ndjekur për t’u pajisur me Vërtetim Tatimor, përgjegjësitë e zyrtarëve të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në Drejtoritë rajonale, për të lëshuar Vërtetimin Tatimor, si dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të Teknologjisë Informative në ATK për të mundësuar gjenerimin e Vërtetimit Tatimor. Pajisja me Vërtetim Tatimor mund të bëhet në mënyrë elektronike dhe në mënyrë manuale.

Personi fizik jo-afarist (individi) mund të pajiset me Vërtetim Tatimor on-line përmes ueb faqes së ATK-së apo përmes linkut https://evertetimi.atk-ks.org/ apo në cilëndo zyre rajonale më të afërt të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve. Ndërsa, tatimpaguesi (biznesi) mund të pajiset me Vërtetim Tatimor on-line përmes Sistemit Elektronik EDI apo në zyrën përkatëse rajonale të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve. Vërtetimi Tatimor për personat fizik afarist dhe personat juridik, lëshohet nga ATK vetëm në rastet kur tatimpaguesi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer, si dhe në rastet kur tatimpaguesi ka obligime të pashlyera, mirëpo, është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste.

Ndërsa, Vërtetimi Tatimor për personat fizik jo afarist (individët), lëshohet nga ATK vetëm në rastet kur personi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer, në rastet kur personi ka obligime të pashlyera, mirëpo, është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste, si dhe në rastet kur ATK nuk ka shënime për personin. Ky Udhëzues hyn në fuqi me datë 01 Nëntor 2020 dhe i njëjti shfuqizon të gjithë Udhëzuesit e mëparshëm që kanë rregulluar këtë çështje. Udhëzuesin për procedurat e pajisjes me Vërtetim Tatimor, mund ta gjeni në ueb faqen e ATK-së www.atk-ks.org në linkun Publikime – Dokumente.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme