“Unë s’bisedoj prapa perdeve nëpër darka”: Si e sulmoi Hoti mbrëmë Thaçin përmes debatit

09:20 | 16 Tetor 2020
Arbresh.info

Kryeministri Avdullah Hoti ka qenë shumë i ashpër kur e ka kundërshtuar presidentin Hashim Thaçi – të cilit i është referuar “ky” – i cili pati deklaruar se BE-ja po insiston që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive.

Hoti mbrëmë ka thënë se ai nuk bisedon prapa perdeve, por ka shtuar se nuk po aludon që një gjë të tillë e bën presidenti.

“Unë nuk di çfarë informata ka ky [Hashim Thaçi] dhe unë nuk jam person që bisedoj prapa perdeve në takime joformale, nëpër dreka dhe darka. Nuk po e them që po e bën ky. Takimet e mia në proces të dialogut janë të ditura të gjitha – me agjendë dhe deklarata zyrtare të miat dhe të BE-së pas atyre takimeve”, tha ai ne klan Kosova, transmeton Arbresh.info.

Shefi i qeverisë ka siguruar se deri tani nuk është biseduar as një herë të vetme për kompetencat e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asnjëherë deri tani nuk kemi biseduar për asnjë çështje që lidhet me kompetencat e këtij asociacioni. Na është shtruar neve se a e pranon shteti i Kosovës obligimin që e ka për themelimin e Asociacionit. Është obligim i joni, sepse është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës e zhvlerësojnë ose e anulojnë atë marrëveshje ndërkombëtare, atëherë unë nuk kam të drejtë të insistoj dhe as BE-ja nuk mund ta kërkojë. Asnjë fjalë nuk është diskutuar as për draftin e statutit, sepse nuk kemi ardhë në atë pikë”.

Por, si është e mundur që presidenti dhe kryeministri të kenë informata të ndryshme për të njëjtën çështje?

“Presidenti është presidenti i vendit dhe i ka kanalet e veta të komunikimit. Unë jam kryeministër dhe unë e udhëheq këtë proces dhe fjala ime është e fundit për këtë proces”.

Kryeministri Hoti ka insistuar se ujdia finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke dhe se për këtë nuk ka një alternativë të dytë.

Por, ai nuk ka dhënë një afat kohor se kur mund të ndodhë kjo. Madje, sipas tij, mund të ndërrohen edhe disa kryeministra derisa Serbia dhe Kosova ta njohin njëra-tjetrën.

“Ndoshta edhe dy kryeministra pas meje do ta thonë se po punojnë për njohje reciproke, derisa ta arrijmë. Nuk do të ketë zgjidhje kreative, sepse nuk ka mes në këtë gjë. Unë pres që në muajt e ardhshëm të vijmë në përfundim të këtij procesi. A e përmbyllim këtë proces me marrëveshje ose jo unë nuk mund ta garantoj. Ne jemi njëra palë dhe për përmbylljen e marrëveshjes duhet dakordimi i të dyja palëve”.

“Kosova duhet të bëjë çdo gjë për të arritur këtë marrëveshje në kuadër të parimeve mbi të cilat duhet të zhvillohet ky proces – ruajtja e karakterit unitar të shtetit që i nxjerr krejt jashtë loje diskutimet për Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe hiqet prej tavolinës shkëmbimi i territoreve. Për gjërat e tjera ulemi dhe negociojmë si shtet i pavarur mbi parimet ndërkombëtare”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme