Google ADS

25 takimet e Lajçakut në Kosovë| Gjithçka çfarë u diskutua në takime

08:15 | 16 Tetor 2020
Arbresh.info

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, zhvilloi një vizitë tri ditore në Kosovë.

Lajcak tha se kishe 25 takime, duke përfshirë përfaqësuesit politikë pozitë e opozitë dhe shoqëri civile, shkruan Arbresh.info.

Në konferencën e  mbajtur gjatë së enjtes bërë me dije çka ka biseduar dhe si do të zhvillohet procesi i dialogut-Kosovë -Serbi me ndërmjetësimin e BE-së.

Lajçak tha se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës duhet të bëhet menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Mirëpo, para se të ndodhë kjo, Lajçak tha se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit, si dhe t’i përfundojnë të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme për këtë proces, shkruan Arbresh.info.

“Gjëja tjetër është të diskutojmë mbi statutin dhe kjo është ajo që ne presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes. Por, detajet e Asociacionit duhet të dakordohen si pjesë e negociatave, sepse nuk duhet të mungojë qartësia e ndonjë çështjeje në momentin e nënshkrimit ”, deklaroi Lajçak.

Ai tha se rezultati më i rëndësishëm i vizitës së tij në Kosovë është se gjatë takimeve, u konfirmua se Kosova do t’i respektojë të gjitha angazhimet e saj, përfshirë atë për krijimin e Asociacionit.

Lajçak tha se përfaqësuesve politikë të Kosovës u ka bërë thirrje për kompromis.

“Dialogu është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Dialogu i ofron Kosovës një mundësi për të diskutuar për të gjitha çështjet e pazgjidhura me Beogradin. Dialogu duhet t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura, por në të njëjtën kohë duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje mund të jetë vetëm rezultat i një kompromisi. Unë u bëra thirrje bashkëbiseduesve që të jenë të gatshëm për kompromis”, deklaroi Lajçak, duke shtuar se nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin, dhe pa një marrëveshje, nuk do të ketë as normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, gjithashtu, tha se Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të largohet nga institucionet, sepse “të gjithë partnerët e saj konfirmuan qartë se kjo është çështje e dakorduar dhe që do të diskutohet”.

Lista Serbe ka thënë se mund të largohet nga institucionet e Kosovës nëse nuk ndodh formimi i shpejtë i Asosacionit.

Pas takimit që pati me Lajçak, të martën më 13 tetor, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se formimi i Asociacionit nuk do të bëhet pa arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Kjo marrëveshje, sipas Hotit, duhet të përfundojë me njohje të dyanshme.

“Asgjë nuk fillon të zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi kryeministri Hoti.

Të mërkurën, Lajçak është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një konference për gazetarë, presidenti Hashim Thaçi, kërkoi që në tryezën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për njohje reciproke.

“Të hidhet në tryezë mundësia e diskutimit për njohjen reciproke dhe kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes pastaj çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike qe i kemi diskutuar tash e dhjetë vjet në Bruksel”, u shpreh presidenti Thaçi.

Lajcak u prit edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, me të cilin diskutoi për “interesat e përbashkëta” në dialogun Kosovë – Serbi.

“Marrëveshjet e Uashingtonit e plotësojnë këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta: normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Kosnett në Tëitter.

I pyetur pse Bashkimi Evropian, heziton të thotë, siç bëjnë amerikanët, se qëllimi përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke, Lajçak tha se po zhvillohen negociata për normalizimin e marrëdhënieve dhe se mandati i tij thotë “normalizim”.

“Mua nuk më takon që ta përkufizojë se çfarë nënkupton normalizimi. Ana e Kosovës e ka bërë shumë të qartë se cili është interpretimi juaj për normalizimin dhe ana e Beogradit është shumë e qartë se çka nënkupton me normalizim dhe ne jemi këtu që të ndihmojmë që të gjejmë një normalizim. Unë jam këtu vetëm të lehtësoj marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Janë të dy palët që duhet të dakrodohen”, tha Lajçak.

Pas Prishtinës, Lajçak do të vizitojë Beogradin ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja e Brukselit është dokumenti i parë mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në Bruksel më 2013.

Një nga pikat kryesore ishte formimi i Asociacioni të Komunave Serbe.

Në vitin 2015, Serbia dhe Kosova arritën edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni.

Por kjo marrëveshja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e cila ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha të martën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ai u shpreh se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme