Nga Madeleine Albright
Shumë shpejt pasi mbërrita në Nju Jork si refugjate në moshën 11-vjeçare, unë u bëra një amerikane krenare dhe mirënjohëse. Më vonë, si diplomate e SHBA-së, unë promovova një model nëpër botë si institucionet demokratike amerikane dhe procesin e nderuar zgjedhor.
Miqtë e mi të huaj, ishin dakord më këtë konstatim. Kur njerëzit shihnin SHBA-në, u pëlqente në përgjithësi ajo çfarë ndodhte këtu. Ato kohë të lumtura, duken sot shumë të largëta.
Për shkak të marrëzive të një presidenti të llastuar dhe shumë arrogant, demokracia amerikane është zhvlerësuar dukshëm në sytë e botës. Duke ndjekur debatin e fundit midis Donald Trump dhe sfidantit të tij demokrat, Xho Bajden, mu duk sikur isha bllokuar brenda një vullkani që po shpërthente, me një qen të lehte pa pushim.
Një president që pretendonte se përfaqësonte rendin dhe ligjin, refuzoi të respektonte rregullat e debatit, që i kishte pranuar më herët shtabi i tij elektoral. Gjithashtu ai refuzojë të dënojë aktet e fanatizmit racor, apo të premtojë se do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht se cili do të jetë ai.
Dhe bazuar në rekordet e tij të mëparshme, asgjë nga ato që u panë në atë debat nuk ishin befasuese. Pak orë më vonë, Trump dhe disa njerëz pranë tij rezultuan pozitivë me koronavirusin e ri. Sërish, as kjo nuk ishte shumë e habitshme, po të kesh parasysh qëndrimin shpërfillës të administratës aktuale ndaj pandemisë.
Më pas pati një përpjekje tepër të pahijshme nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, për ta portretizuar shefin e tyre si një hero që e kishte “mundur” virusin, edhe pse me ndihmën e një ekipi mjekësor elitar dhe ilaçeve eksperimentale.
Mesazhi i zotit Trump – se askush nuk duhet të ketë frikë nga virusi – kundërshtohet nga eshtrat e mbi 1 milionë të vdekurve deri më tani. Tani amerikanët janë gati të zgjedhin një udhëheqës për 4 vitet e ardhshme. Nuk ka një shfaqje më të mirë të demokracisë sesa zgjedhjet.
Por këtë vit ekziston edhe potenciali për një përçarje me pasoja serioze. Dhe në mesin e arsyeve përfshihet sfida e votimit të sigurt në mesin e një pandemie, barra logjistike e trajtimit të një numri të madh të fletëve të votimit që mungojnë, probabilitetin që agjentët e huaj dhe të brendshëm të synojnë të njollosin procesin duke përhapur gënjeshtra, dhe përpjekjet e vetë presidentit Trump për të minuar besimin publik tek institucionet demokratike.
Duke pretenduar se zgjedhjet do të manipulohen në dëm të tij, Trump po mbjell me qëllim “farërat” e kaosit, duke përfshirë mundësinë e përplasjeve të dhunshme gjatë Ditës së Zgjedhjeve, dhe një kacafytje të gjatë gjyqësore pas saj.
Nëse rezultati do të jetë tepër i ngushtë, fituesi mund të mos dihet për javë të tëra, dhe ka të ngjarë që procesi të cilësohet si i manipuluar nga njëra apo tjetra palë. Asnjë proces zgjedhor nuk zhvillohet në mënyrë të përsosur, dhe mosmarrëveshjet rreth fletëve të votimit janë të zakonshme.
Por këtë herë Trump do të përpiqet ta zmadhojë çdo lloj problematike sado të vogël, duke e bërë atë pjesë të një komploti të madh që po kurdiset kundër tij. Dhe ka disa në të majtën ekstreme, që janë të aftë të mendojnë në të njëjtën mënyrë.
Në fund, mosmarrëveshjen mund të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, e cila për mbështetësit e Bajden është e njëanshme në favor të republikanëve. Sigurisht, ka gjasa që rezultati të jetë mjaftueshëm i thellë në favor të njërit prej kandidatëve, sa që t’i bëjë të parëndësishme ankesat partiake.
Dhe unë shpresoj të ndodhë diçka e tillë. Por ne duhet të përgatitemi për më të keqen, dhe në këtë rast ia vlen të kujtohen 3 fakte. Së pari, procedurat për votimin janë zhvilluar gjatë shumë viteve, dhe ato janë bazuar në udhëzimet e ekspertëve jo-partiakë:një manipulim në shkallë të gjerë i zgjedhjeve është tejet i pamundur, por dhe po ndodhi do jetë relativisht i lehtë për t’u zbuluar.
Së dyti, disa anomali janë të pashmangshme, por gjithashtu të rikuperueshme, dhe ato nuk duhet të diskreditojnë të gjithë procesin. Së treti, pavarësisht se sa i sinqertë dhe efikas është numërimi i votave, akuza për manipulim sigurisht që do të ketë në mediat sociale, por edhe nga elementet partiake të medias.
Me apo pa zjarre të vërteta, do të ketë me siguri shumë tym. Dhe u takon udhëheqësve të përgjegjshëm në të dyja partitë dhe profesionistëve të ligjit, akademikëve dhe gazetarëve, që t’i ndihmojnë qytetarët të ndajnë faktet nga ekzagjerimet dhe gënjeshtrat.
Sa më të përgatitur të jemi për këtë lloj konfuzioni, aq më mirë mund t’i kundërvihemi tij. Shpesh më kanë pyetur se sa kohë do të duhet për të riparuar dëmet e shkaktuara nga administrata aktuale ndaj pozitës globale të SHBA-së. Sigurisht, vendi ynë nuk mund të zhbëjë përvojën e përfaqësimit nga Trump. Ashtu si një tufë elefantësh që lënë pas gjurmët e tyre aty ku kalojnë, po kështu do të ndodhë edhe me ekipin e Trump.
Nëse zgjidhet president, Xho Bajden do të trashëgojë një vend me një ndikim të zvogëluar në botë, për shkak të kërkimit të “madhështisë” nga paraardhësi i tij në të gjitha vendet e gabuara.
Detyra e presidentit të ri do të jetë shumë sfiduese:të sigurojë aleatët për angazhimin e SHBA-së ndaj tyre; të rivendosë udhëheqjen e SHBA-së mbi ndryshimin e klimës dhe shëndetin global; të krijojë koalicione efektive për të kontrolluar ambiciet e Kinës, Rusisë dhe Iranit; dhe të rivendosë imazhin e SHBA-së si një kampione e demokracisë.
A është Bajden dhe ekipi i tij në lartësinë e kësaj sfide? Me ndihmën e atyre që ende i urojnë SHBA-së më të mirë, përgjigja është sigurisht po. A do të kenë ata shansin që ta bëjnë këtë? Kjo do të varet nga mënyra sesi qytetarët amerikanë, do ta shohin qëllimin dhe karakterin e kombit të tyre.
A ka vizioni i tyre ndonjë ngjashmëri me vendin e sigurt, të hapur ndaj botës, që e mirëpriti familjen time në vitin 1948? Apo koha e ka ngushtuar kaq shumë perspektivën popullore, dhe e ka ngatërruar aftësinë tonë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtrat, dhe që SHBA-ja me të cilën unë rashë dikur në dashuri, i përket tashmë historisë? Për mirë apo për keq, së shpejti do ta mësojmë përgjigjen.
Shënim: Madeleine Albright, ish sekretare amerikane e shtetit në vitet 1997-2001, dhe autore e librit “Ferri and destinacione të tjera:
Kujtimet e shekullit XXI” / FT – Bota.al
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...