Sundimi i Historisë mbi përditshmërinë e Kosovës

15:04 | 15 Tetor 2020
Arbresh.info

Veçimi i historisë nga politika e përditshme, është një shenjë evidente e ‘shëndetit politik’ të një shteti. Këtë ne nuk po mund ta arrijmë në Kosovë.

Shkruan: Blerim Shala

Çdo komb dhe secili shtet e ka historinë e vet, përmes të së cilës i ka mbërri synimet e veta, apo edhe ka dështuar në sendërtimin e tyre.

Por asnjë komb dhe asnjë shtet nuk mund të jetojë nga historia.

Për më shumë, përzierja e historisë me aktualitetin politik dhe shoqëror, mund të sjellë situata të cilat mbizotërohen nga gabimet e njëpasnjëshme për ta qartësuar atë rrugëtimin para të një kombi dhe të një shteti.

Veçimi i historisë nga politika e përditshme, është një shenjë evidente e ‘shëndetit politik’ të një shteti.

Ky tipar shumë i rëndësishëm i shteteve kryesore të Perëndimit, veçmas kur bëhet fjalë për shtetet më të mëdha të Evropës, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, zaten, është në themelet e paqes prej 75 vjetësh në Evropë dhe i krijimit të Komunitetit të shteteve evropiane (si Bashkimi Evropian).

Në Kosovë jemi shumë larg për ta mbërri këtë veçori aq jetike për stabilizimin afatgjatë të shtetit të Kosovës, të shpallur në shkurtin e vitit 2008-të.

Historia e Kosovës, sidomos ajo e viteve të luftës, 1998, 1999, është pjesë e përditshmërisë sonë shoqërore dhe politike, dhe për më shumë, duket që kështu do të jetë edhe për shumë vite të tjera.

Me të shpejtë, pa bërë farë analize të thelluar dhe të detalizuar, të vijnë ndërmend së paku katër burime të cilat e ushqejnë këtë konkludim i cili si i tillë, rrëfen për një mungesë të qëndrueshmërisë afatgjatë të shtetit të Kosovës.

Burimi i parë është Veriu i Kosovës. Në këtë pjesë të shtetit të Kosovës, ’Ora historike’ është ndalur në muajin qershor të vitit 1999-të, dhe më nuk ka lëvitur fare. Për këtë shkak, në atë periudhën para se të përmbyllej Ndërmarrja ndërkombëtare e adresimit të statusit të Kosovës, përmes Presidentit Ahtisaari, (në vitet 2005-2007), flitej, me të drejtë, që ’statusi’ i Veriu të Kosovës është ai i ’Konfliktit të ngrirë’.

Që prej atëherë, shumëçka ka ndryshuar në Veriun e Kosovës, kjo pjesë është në territorin e Republikës së Kosovës dhe nën sovranitetit formal të saj, ka pasë përpjekje të vazhdueshme për integrimin e saj në pushtetin lokal dhe qëndror, janë shënuar edhe përparime të matshme, por, realisht, Veriu është i mbushur, nëse mund të thuhet ashtu, histori të pakryer, dhe ai të gjithë neve na kthen, në një mënyrë apo tjetrën, në këtë historinë e cila i përngjet një plage të pashëruar që mund të rrezikojë ’shëndetin’, apo, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë shtetit të Kosovës.

Burimi i dytë i këtij lloji, i cili madje, me gjasë është edhe kryesori dhe vendimtari në këtë subordinimin e realitetit dhe të ardhmënisë sonë si shtet ndaj historisë, lidhet me marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat u përfshinë në luftën e viteve 1998, 1999.

Shqiptarët në Kosovë bënë luftë të drejtë, në rrethanat politike dhe historike të njohura për të gjithë, pas shkatërrimit të shtetit të përbashkët (RSFJ-së), për tu çliruar nga Serbia, dhe pastaj, për tu bërë shtet.

Por ky rrëfim historik, nuk është i përmbyllur, për shkak që Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, nuk kanë bërë (ende), Marrëveshje të mirëfilltë paqësore dhe gjithpërfshirëse, për normalizimin e marrëdhënieve, dhe për njohjen e njëra tjetrës si dy shtete, që për më shumë, do të angazhohen për fqinjësi të mirë.

Sado pra që Kosova është e lirë dhe është shtet i pavarur, ajo nuk është ende e lirë nga historia e saj tragjike dhe as e pavarur prej saj, në këto relacionet me Serbinë (apo, kjo histori është tutje e gjallë dhe ’prodhuese’ e rrjedhave të shumëllojshme politike), sepse gjithsesi, pa fajin dhe pa përgjegjësinë e saj, nuk e ka ende atë Akordin final politik me Serbinë, i cili do ta vuloste një herë e përgjithmonë këtë historinë mbi një shekullore të një konflikti të vazhdueshëm midis dy popujve dhe dy vendeve.

Sa të mungojë kjo Marrëveshje, nuk do të mungojë si aktualitet politik, historia e luftërave dhe konflikteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Burimi i tretë i cili e bën Kosovën të varur nga ky ’Gravitet i historisë’ (nëse mund të definohet në këtë mënyrë), nuk vjen nga Veriu i Kosovë, dhe as nga Beogradi, por nga Haga, në trajtë të Dhomave të Specializuara.

Ky rrëfim, sipas të gjitha gjasave, do të na rikthejë, jo vetëm në javët dhe muajtë e ardhshëm, por duket edhe për vite të tëra, (kur të zhvillohen gjykimet në Hagë), në atë kapitullin e luftës të historisë sonë më të re, duke e ndërlidhur, edhe një herë, përditishmërinë politike me një histori, e cila do të duhej të kishte marrë fund qysh në verën e vitit 1999-të, me çlirimin e Kosovës, dhe më në fund, edhe me shpalljen e shtetit të Kosovës, në vitin 2008-të.

Dhomat e Specializuara në Hagë, në anën tjetër, duket që do të na kthejnë të gjithë neve, si kolektivitet, në atë epokën e luftës, por nga një këndvështrim tjetër, i cili shumë më tepër është reflektim i zhvillimeve pas pavarësisë së Kosovës (të cilat u përgatitën nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës), se sa i atyre gjatë vet luftës!

Sidoqoftë, në çdo variant pra, do të detyrohemi, të gjithë ne, të mirremi me pasojat të cilat do t’i sjellin gjykimet e bëra në Dhomat e Specializuara në Hagë, 22 vjet të plota pas përfundimit të luftës në Kosovës.

Diçka e tillë, mbase është e pashembullt në kallëzimet historike dhe politike të ngjashme me këtë të Kosovës.

Edhe në këtë aspekt, (si edhe në shumë të tjera), duket që do të jemi Rast Sui Generis.

Burimi i katërt, mbase më kryesori, që Kosova nuk po arritët dot të shkëputet nga historia është fakti i njohur për të gjithë ne, që ky rrëfimi i jonë, si shtet i pavarur, nuk ka arritur të kompletohet dhe të rrumbullakësohet, as në territorin e shtetit të Kosovës, (Veriu i Kosovës), dhe as në Rendin Ndërkombëtar.

Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, teksa edhe rrugëtimi i saj për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian, njeh një mori të panjohurash, për shkak të shteteve të Evropës të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kështu, këto katër burime së bashku, bëjnë që në Kosovë të sundojë një histori e papërfunduar e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme