Dokument| Prokuroria përfshihet në çështjen ku Thaçit e Hotit i kërkohet “opinion” për amandamentin e mandatit të Speciales

11:30 | 15 Tetor 2020
Arbresh.info

Ishte data 24 gusht e këtij viti, kur presidenti i vendit, Hashim Thaçi kishte dërguar një propozim në Kuvendin e Kosovës, për amandamentimin e një neni që ndërlidhet me punën e Speciales.

Amandamenti i propozuar nga presidenti Thaçi, synon që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë të zgjas deri atëherë kur njoftimi për përfundimin e mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Më 18 shtator, ky amandament i ishte dorëzuar nga Kuvendi i Kosovës, presidentit të Dhomave të Specializuara të Gjykatës. Në dokumentet që i ka parë lajmi.net, bëhet e ditur se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar opinion nga Dhoma e Posaçme e Kushtetueses në Speciale, se a i shkel ky amandament të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin 2 të Kushtetutës.

Mirëpo kjo çështje ka mbetur ende pezull. Kushtetuesja në Speciale ka vendosur që palët e përfshira në këtë kërkesë dhe çështje, të dorëzojnë parashtresa me shkrim apo informacione shtesë në lidhje me amandamentin dhe ligjshmërinë e tij.

Një kërkesë e tillë i është dorëzuar edhe kryeministrit Hoti, i cili bashkë me palët tjera të poshtëpërmendura ka afat që shkresat t’i dorëzojë deri më 19 tetor.

“Në atë anë, dhe në funksion të sfondit të kërkesës për autoritetet që mund të kenë interes në këto procedura (shih paragrafët 1, 4 dhe 8 më lart), Paneli e gjen të përshtatshme të njoftojë autoritetet vijuese të kërkesës me një mundësi që ata të paraqesin parashtrime me shkrim, nëse dëshirojnë të bëjnë kështu, mbi pranueshmërinë dhe / ose meritat e kërkesës: Presidenti i Kosovës; Përfaqësuesi i Lartë i Unionit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë / Zëvendës President i Komisionit Evropian;Kryeministri i Kosovës; dhe Shefi i EULEX-it në Kosovë”, thuhet në dokumentin.

E kërkesa më specifike ka qenë ndaj presidentit Thaçi. Ndaj këtij të fundit, Paneli i Kushtetueses ka kërkuar që po ashtu deri më datë 19 tetor, të paraqesë arsyetimin e tij për amandamentin e propozuar. Nga palët është kërkuar që shkresat të jenë sa më racionale, të kuptueshme, dhe jo më të gjatë se 10 faqe.

 

Ndërhyrja e Prokurorisë së Specializuar:

 

Ndonëse Dhomat e Posaçme të Kushtetueses në Speciale nuk kishin kërkuar opinion apo shkresë nga Prokuroria e Specializuar, kjo e fundit ka parashtruar kërkesë që ta bëj një gjë të tillë.

Në dokument përshkruhet edhe arsyetimi që ka dhënë Prokuroria e Specializuar që të jetë pjesë e lëndës.

“Më 6 tetor 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi leje të bëjë parashtrime mbi pranushmërinë dhe meritat e kërkesës. ZPS tha se është direkt e interesuar dhe prekur nga Amandamentimi i këtij neni. Amandamentimi i këtij neni ndërlidhet direkt me punën e prokurorisë. Prokuroria e Specializuar ka detyrim të respektojë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin 2 të Kushtetutës”, ka thënë Prokuroria e Specializuar e Hagës në kërkesën e saj për të dhënë mendimin mbi amandamentin e propozuar nga presidenti Thaçi.

Kjo kërkesë e prokurorisë është pranuar nga Paneli i Kushtetueses në Speciale, dhe të njëjtës po ashtu i është dhënë afat që deri më 19 tetor të dorëzojë opinionin dhe shkresat e saja, jo më të gjata se 10 faqe.

Ajo çka mbetet të shihet është opinioni që do të dorëzohet nga zyra ligjore e presidentit dhe asaj të kryeministrit të Kosovës.

Kjo e fundit, në bazë të dokumenteve, nuk është e obliguar që të dorëzojë opinion, pra këtë çështje e ka opsionale.

Pas dorëzimit të të gjitha parashtresave, Kushtetuesja e Speciales pritet të marrë një vendim mbi amandamentin që ndërlidhet direkt me mandatin e këtij institucioni./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme