Meta kujton 30 vjetorin e themelimit të Shtëpisë Botuese “Buzuku”

17:35 | 14 Tetor 2020
Arditë Shkodra

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot në pallatin presidencial në Tiranë, ka pritur bashkëthemeluesit e Shtëpisë Botuese “Buzuku”, me rastin e 30 vjetorit të themelimit.

Ai ka thënë se “Buzuku” i kishte vënë themelet në një kohë të rëndë kur Kosova përballej me regjimin e Sllobodan Millosheviqit, derisa thotë se iniciativa për një shtëpi të tillë botuese lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili ishte shkollë e Rilindjes.

Këtë ai e ka postuar në rrjetin social Facebook, shkruan arbresh.info

Postimi i tij i plotë:

Tre dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.

Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.

“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar.

Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.

Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre.

Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z.Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.

I lumtur që në vlerësim të këtij kontributi të vyer të çmoja sot Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ me Titullin “Naim Frashëri”. ??❤️??

Të ngjashme