Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndaluar publikimin në media të dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve në rastin “Veteranët”.
Një vendim të tillë, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, e arsyetoi me faktin se të akuzuarit e tjerë largohen nga salla e gjykimit deri sa një i akuzuar është duke dhënë mbrojtjen, në mënyrë që të mos jenë në dijeni lidhur me përgjigjet e të akuzuarit gjatë marrjes së tij në pyetje.
E publikimi në media i dhënies së mbrojtjes së një të akuzuari, sipas gjyqtares, do të pamundësonte një gjë të tillë dhe do të ndikonte edhe në procesin gjyqësor.
Tek pasi që të gjithë të akuzuarit do të përfundojnë dhënien e mbrojtjes së tyre, gjyqtarja tha se do të mund të publikohen deklarimet e të akuzuarve në media.
I pari që është ftuar nga të akuzuarit për të dhënë mbrojtjen e tij është Agim Çeku.
Ndryshe, të mërkurën ka filluar rishtazi gjykimi në rastin “Veteranët”, pasi që nga seanca e fundit e mbajtur për këtë rast, kanë kaluar më shumë se tre muaj.
Seanca e së mërkurës ka filluar me afërsisht një orë vonesë, pasi që gjykata kishte probleme që të lidhet me të akuzuari Fadil Shurdhaj. Ky i fundit është duke e përcjellë seancën në mënyrë virtuale, për shkaqe shëndetësore.
Pasi që me pëlqimin e të akuzuarve nuk u lexua aktakuza, të gjithë të akuzuarit u deklaruan sërish të pafajshëm.
Po ashtu, prokurori Valdet Gashi dhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre qëndruan prapa fjalës hyrëse që kanë dhënë gjatë këtij gjykimi.
Gjithashtu, edhe dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat tjera të administruara u konstatuan të lexuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...