Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara.
Në një reagim nisur për media nga presidenca thonë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare, shkruan Arbresh.info.
“Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë.
E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm.
Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti ka shtuar se është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në përputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara.
Kjo drejtësi speciale, sipas tij është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve.
“Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet. E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik.
Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.
Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi./Arbresh.info/
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
Pacolli sot mban takim humanitar në Gjermani