Osmani kërkon mbështetje për vajzat: E ardhmja është më e mirë, kur secila vajzë ka mundësitë për të jetësuar ëndrrat e veta

21:00 | 11 Tetor 2020
Arbresh.info

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani shkruan se vajzat janë të lindura dhe të prirura të bëjnë çdo gjë dhe të përmirësojnë jetën në komunitet.

Osmani thotë se që nga barazia gjinore, ndryshimet klimatike, luftimi i diskriminimit, etj. vajzat janë ato që po prijnë betejat më sfiduese.

Vajzat duhet mbështetur, e ardhmja është më e mirë, kur secila vajzë ka hapësirën dhe mundësitë për të jetësuar ëndrrat e veta, shkruan Osmani.

Ky është postimi i saj i plotë:

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Kuvendi i Republikës së Kosovës u stolis me ngjyrat më të bukura, me ëndrrat, ambiciet e arritjet e vajzave tona të cilat na bëjnë çdo ditë krenar.
Sot u konfirmua edhe njëherë që vajzat janë të lindura dhe të prirura të bëjnë çdo gjë, të pushtojnë majat, të bëjnë ndryshimin, të jenë kampione në inovacionin, të shkëlqejnë në art e në sport, e të përmirësojnë jetën në komunitet.
Çdo vajzë në çdo cep të Kosovës i ka aftësitë, kapacitetin dhe fuqinë për të shkëlqyer në çfarëdo profesioni që do përzgjedh në jetë, e ne, si vajzat/gratë e ashtu edhe djemtë/burrat e kemi për detyrë t’i mbështesim, t’i fuqizojmë dhe t’i japim kurajo drejt përmbushjes së ëndrrave të tyre.
Që nga barazia gjinore, ndryshimet klimatike, luftimi i diskriminimit, etj. vajzat janë ato që po prijnë betejat më sfiduese. Uroj që, ashtu siç patëm rastin të shohim edhe sot, sukseset dhe arritjet e vajzave tona të dominojnë gjithnjë e më shumë në vendin tonë si dhe anë e mbanë botës.
Vajzat munden!
Vajzat duhet mbështetur. E ardhmja është më e mirë, kur secila vajzë ka hapësirën dhe mundësitë për të jetësuar ëndrrat e veta. Le të jetë kjo trashëgimia që do e ia lëmë brezave që vijnë pas.
Urime Dita Ndërkombëtare e Vajzave!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme