Bullgarët nuk tërhiqen, 94 ditë protesta: Borisov largohu!

14:18 | 10 Tetor 2020
Arditë Shkodra

Në Bullgari nuk kanë të ndalur protestat kundër qeverisë prej më shumë se tre muajsh.

Qytetarët bullgarë u mobilizuan edhe të shtunën për të 94-ën ditë me radhë duke përsëritur kërkesat e pandryshueshme për largimin e kryeministrit Bojko Borisov, dorëheqjen e prokurorit të përgjithshëm, futjen e numërimit dhe votimit elektronik në zgjedhje dhe reformimin e gjyqësorit.

Të enjten, edhe familja e vet europiane e fshikulloi Sofjen zyrtare.

Me një rezolutë që mori 358 vota në favor dhe 277 kundër, eurodeputetët kritikuan nivelin e lartë të korrupsionit në Bullgari, bjerrjen e lirive të shtypit, rrëshqitjen nga standardet demokratike dhe situatën me dhunën gjinore, urrejtjen ndaj minoritetit rom dhe azilkërkuesve.

“Shteti i së drejtës nënkupton të respektosh gjykatat; të kesh pushtete të ndara dhe jo të persekutosh oponentët politikë; të mos i vësh mediet në patronazhin tënd; dhe të respektosh të drejtën e publikut për të demonstruar në liri.”

Grupimi më i madh i Parlamentit Europian, Partia Popullore, propozoi zëvendësimin e disa nga pjesëve më kritike të rezolutës me gjuhë më të butë, por drafti paraprak ishte ai që kaloi.

“Kam parë emra të njohur në familjen tonë politike që janë me zotin Borisov dhe ekipin e tij, por nuk e di a e dini se kë po mbështetni?! Po mbështetni një rrjet njerëzish të lidhur mirë që kanë akuza serioze për korrupsion, pastrim parash dhe mashtrim me fondet europiane, dhe një sistem që shtyp shtetin e së drejtës, demokracinë dhe vlerat europiane edhe tani që flasim.”

Më shumë se 1 mijë shkrimtare, regjisorë, aktorë, aktivistë dhe gazetarë kanë nënshkruar gjithashtu një letër të hapur për dorëheqjen e qeverisë.

61-vjeçar Borisov udhëheq politikat e Bullgarisë për tri mandate që nga viti 2009.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme