Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ligjvënësi demokrat, Jamie Raskin prezantuan të premten një projekt-ligj për krijimin e një komisioni mbi bazën e Amendamentit të 25-të për të vepruar në bashkëpunim me Nënpresidentin Mike Pence për të zhveshur Presidentin Trump nga autoriteti ekzekutiv.
Zonja Pelosi e njoftoi projekt-ligjin, pasi i bëri thirrje administratës së Presidentit Trump të bënte publike të dhëna shtesë për shëndetin e presidentit, i cili u diagnostikua kohët e fundit me COVID-19.
“Pa diskutim që po mjekohet me ilaçe. Kushdo që është duke marrë ilaçe të tilla serioze është në gjendje të transformuar,” tha të premten zonja Pelosi në një konferencë për shtyp në Kongres. “Ai ka folur duke u lavdëruar se po merr disa ilaçe. Disa ekspertë mjekësorë thonë se ilaçet mund t’i ndikojnë gjykimin”.
Zonja Pelosi shtoi se kjo masë nuk merrej kundër presidentit, por si përpjekje për të sqaruar procedurat që ndihmojnë për të mbrojtur sigurinë e vendit në të ardhmen.
“Kjo masë nuk është kundër Presidentit Trump,” tha ajo. “Ai do të dseshet me vendimin e votuesve, por rasti i tij na ka përballur me nevojën për të krijuar një proces për presidentët e ardhshëm”.
Zoti Raskin, me profesion jurist kushtetues, tha se infektimi i presidentit me koronavirus i ka sjellë në mendje të gjithëve “nevojën për të bërë diçka lidhur me dispozitat në Amendamentin e 25-të që Kongresi të krijojë komisionin e tij. Në epokën e COVID-19, kur janë infektuar shumë zyrtarë në qeveri, nga ne kërkohet të veprojmë”.
Presidenti Trump reagoi në Twitter pas njoftimit të projekt-ligjit, duke shkruar: “Nancy e çmendura po analizon Amendamentin e 25-të për të më zëvendësuar me Joe Biden dhe Kamala Harris. Demokratët duan ta bëjnë këtë sepse Joe Gjumashi është i mbaruar”.
Kundërshtarët e presidentit e kanë përmendur prej kohësh mundësinë e veprimit bazuar në këtë amendament. Megjithatë, prezantimi i kësaj mase në këtë moment duket më tepër si përpjekje për të tërhequr vëmendjen e publikut tek gjendja shëndetësore e presidentit dhe reagimi i administratës ndaj pandemisë në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Kongresi nuk është në sesion aktiv, gjë që vë në pikëpyetje të fortë shanset që projekt-ligji të debatohet apo të hidhet në votë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.
Amendamenti i 25-të, i cili specifikon hapat për vazhdimësinë e qeverisjes, përfshin një dispozitë, sipas të cilës nënpresidenti dhe një shumicë sekretarësh të kabinetit mund ta shpallin presidentin si të paaftë për të kryer detyrën. Në atë rast, nënpresidenti bëhet menjëherë president në detyrë.
Amendamenti gjithashtu i jep autoritet Kongresit të krijojë një entitet të ri në vend të sekretarëve të kabinetit, i cili së bashku me nënpresidentin mund ta shpallin presidentin të paaftë për kryer funksionet e postit. Në secilin rast, presidenti mund ta sfidojë këtë deklaratë dhe të rikthehet në detyrë.
Nëse nënpresidenti dhe sekretarët e kabinetit apo entiteti i ri i krijuar nga Kongresi i përmbahen deklarimit të mëparshëm se presidenti është i paaftë për të kryer detyrën, Kongresi mund t’ia kalojë kompetencat presidenciale nënpresidentit, nëse ky akt mbështetet nga 2/3 e anëtarëve të Kongresit.
Anisa Veseli, banorja më e re në BBVK
Komuna e Prishtinës vendos pllakë përkujtimore të dëshmorit ...
Pheniani e mban sekret brenda vendit lajmit se ka dislokuar ...
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Parashikimi i motit në Shqipëri, si do të ndryshojnë tempera...
Lonely Planet Italia: Në liqenet e Shqipërisë, një udhëtim i...