Gjykata e Pejës anulon seancën gjyqësore për rastin e kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj

10:57 | 9 Tetor 2020
Arbresh.info

Gjykata Themelore në Pejë e ka anuluar seancën gjyqësore e paraparë për të premten, për rastin ku kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë për konflikt interesi.

Sipas zëdhënëses së Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti, arsyeja e anulimit të seancës ishte angazhimi i kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, në një punë zyrtare në Prishtinë.

Seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme