Google ADS

Acarohen raportet, Tirana e thërret ambasadorin serb për t’i dorëzuar notë proteste

15:34 | 6 Tetor 2020
A. B.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se nuk do të tolerohet asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe, referuar këtu deklaratave të fundit të ministrit të Mbrojtjes Aleksandër Vulin.

Ai u shpreh se MPJ ka thirrur ambasadorin serb në Tiranë për t’i përcjellë Serbisë një notë verbale mbi këto deklarata tendecioze.

“Ministria për Punët e Jashtme të Shqipërisë ka vazhduar më tutje me procesin, ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret, për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë, apo figurën e një ministrit apo kryeministrit të Shqipërisë. Se po qe puna për mua, këto lloj fatkeqësisht natyrore mua më stimulojnë dellin e polemikës dhe nuk i kam problem. Një fatkeqësi natyrore nga qeveria e Serbisë nuk e mbaj dot, ta mbaj ai që e ka atje dhe t’i kërkojë ndjesë Shqipërisë”, tha Rama.

Ministri serb pak ditë më parë komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët, të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti.

Shefi i qeverisë shqiptare tha se Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës, ndërsa kjo deklaratë për Vulin është shenjë e qartë, që Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe””, shprehej Vulin duke i bërë thirrje BE-së që të reagonte pasi një gjë e tillë është kërcënim për paqen.

Por, reagimet e tij nuk kanë përfunduar këtu. Përmes një deklaratë të dytë, ministri serb i Mbrojtjes u shpreh se kryeministri i Shqipërisë do të mbahet mend më shumë për “çorapet e grisura” se sa për zhvillimin e ideve të ndritura. Sipas tij, nëse kryeministri Edi Rama do të kishte “tru mjaftueshëm”, ky i fundit nuk do të përpiqej fare për të krijuar atë që ai e quan si “Shqipëri të Madhe” dhe nuk do të vlerësonte “vrasësit e UÇK-së”.

“Nëse Edi Rama do të kishte tru, nuk do të përpiqej të bënte ‘Shqipërinë e Madhe’. Nëse do të kishte mend, nuk do të bënte fotografi me sfond nga flamuri i ‘Shqipërisë së Madhe’. Nëse kujdesej për paqen në rajon, nuk do të lavdëronte vrasësit e UÇK-së”, shprehet Vulin.

Kryeministri i vendit, Edi Rama iu përgjigj këtyre deklaratave, ndërkohë është shprehur se ushtarët e UÇK ishin çlirimtarët, dhe se vrasësit ishin dhe janë në Beograd. /euronews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme