Detyrë e brezit tim të politikanëve është që të vazhdoj luftën për bashkimin e të gjithë serbëve në një një bashkësi të përbashkët politike dhe shtetërore. Këtë e deklaroi pak ditë më parë Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.
Shkruan: Blerim Shala
Aleksandar Vulin, Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, ka ditë që në paraqitjet e tij publike, po i shanë, po i fyen dhe po i përbuzë shqiptarët. Kudo që janë.
Preteksti për një erupsion të këtillë vullkanik – shovenist të Vulinit ishte Mbledhja e përbashkët e Qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, e javës së kaluar, e mbajtur me 2 tetor, në Tiranë, e cila realisht nuk solli gjë të re në politikën e dy shteteve, e aq më pak në atë të rajonit.
Zaten, prej këtyre Mbledhjeve, të cilat nisin dhe sosin me atë dimensionin simbolik të tyre, që na shfaqë një vullnet për të bashkëpunuar midis Prishtinës dhe Tiranës sa më shumë që është e mundur dhe në të gjitha aspektet e supozuara, as që mund të pritet diçka thelbësore. Në instancë të fundit, Qeverisë së Kosovës i bie hisja dhe barra të udhëheqë me Kosovës, dhe Qeveria e Shqipërisë e ka po këtë mandat dhe detyrë në Shqipëri.
Takimet e këtilla shkojnë dhe vijnë e pastaj secili merret me telashet e veta. Ndaras.
Sidoqoftë, Aleksandar Vulin, i cili si dhe thuaja të gjithë politikanët zyrtarë të sotëm të Serbisë, është mbetje dhe trashëgimi e politikës dhe të organizimit të pushtetit nga Slobodan Milošević në vitet e nëntëdhjeta, (ky ka qenë ’dora e djathtë’ e Mira Markovićit, Kryetares së partisë neo-komuniste JUL, dhe bashkëshortes së Slobodan Miloševićit), i jep, në reagimet e tij plot nerva dhe mllef, një dimension krejtësisht të paqenë kësaj Mbledhjeje, duke e ndërlidhur ate me paralajmërimin për krijimin e një ’Shqipërie të Madhe’.
Në vijim të këtij konkludimi fare të pabazuar, Ministri i Mbrojtjes së Qeverisë së Serbisë vërsulet pa u përmbajtur fare ndaj shqiptarëve në përgjithësi, pa e fshehur aspak një urrejtje të madhe patologjike ndaj kombit shqiptar, e cila është, realisht, një vazhdimësi në organizimin publik politik, intelektual dhe kulturor në Beograd, që prej se Kosova u okupua nga Serbia, në vjeshtën e vitit 1912 e deri sot e kësaj dite.
Vulin, megjithatë, është një zyrtar i lartë në Qeverinë e Serbisë, politikan që llogaritet që është shumë i afërt me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili madje ka udhëhequr edhe ‘Zyrën për Kosovë dhe Metohi’ (në ato vitet e para të dialogut të Brukselit), dhe në këtë kapacitet ai i ka shoqëruar Kryeministrin e atëhershëm serb Ivica Dačić dhe Zëvendës-Kryeministrin Aleksandar Vučić, në dialogun e zhvilluar në vitet 2013, 2014 me autoritetet e Kosovës.
Sidoqoftë, një shpërthim i këtillë shovenist i një zyrtari serb, jo vetëm duke ditur biografinë e Vulinit dhe biografitë e përbashkëta të autoriteteve më të larta të Serbisë, realisht, nuk do të duhej të ishte befasi.
Aleksandar Vulin, në këtë organizimin politik të Serbisë që nga zgjedhjet e vitit 2012-të e tutje, pra, në tetë vitet e fundit, i cili ka si kryeprotagonist të vetin figurën e Aleksandar Vučićit, ka për detyrë, dhe këtë mandat ai e ushtron me zell, me vullnet dhe me dashuri të madhe, ta luajë rolin e një politikani pro-rus dhe anti-perëndimor, i cili madje nuk heziton t’i mbajë gjallë sentimentet nacionaliste në Serbi që i ri-kthehen atij Projektit të ’Serbisë së Madhe’, i cili në masë të madhe dështoi në luftërat e viteteve të nëntëdhjeta.
Dështoi por nuk u harrua. Dhe as nuk u varros.
Ministri Vulin nuk heziton të flasë edhe publikisht për këtë Projekt politik që mendohet (gabimisht), në Perëndim, që ka pësuar atë disfatën finale me fushatën e Aleancës Veri-Atlantike në vitin 1999-të, me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, në vitin 2008-të, dhe me pavarësimin e Malit të Zi, në vitin 2006-të.
Në një intervistë të vetë-kualifikuar si ’testamentare’ për të përjavshmen ‘Pečat’, në shtator, Vulin, si Ministër i Mbrojtjes dhe si ’Zë-dhënës’ i Projektit të ’Serbisë së Madhe’, midis tjerash thekson: ’Detyrë e brezit tim të politikanëve është që të vazhdoj luftën për bashkimin e të gjithë serbëve në një një bashkësi të përbashkët politike dhe shtetërore. Kjo nuk e ka domosdoshmërisht domethënien e ndryshimit të kufijve dhe nuk është e thënë që ky duhet të jetë një shtet i vetëm; kjo do të thotë që serbët duhet të gjejnë një mekanizëm institucional të lidhjes dhe të bashkimit të tyre. Britania (e Madhe) i ka vendosur lidhjet e pandashme me kolonita e veta të dikurshme me krijimin e Commonwealthit, pse ne serbët nuk nisim ta ndërtojmë një Komon velt tonin, një Botë serbe?’. (përfundon citati).
Krahasimi i Serbisë me Britaninë e Madhe, këtu, në këtë analizë të Vulinit, me siguri pa dashje dhe pa qëllim, e me synimin për ta tërhequr një paralele krejtësisht artificiale në mes të dy shteteve dhe dy kohëve krejtësisht të ndryshme, e shpien ate në një gabim trashanik për vetë botëkuptimin gjithsesi të çoroditur të politikës serbe karshi kombeve dhe territoreve fqi të Serbisë.
Sipas kësaj fjalie të gjatë dëshirore dhe kobndjellëse të Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, del që kombet dhe territoret fqi të Serbisë paskan qenë në të kaluarën koloni të Beogradit, prandaj, ai Commonwealthi i Mbretërisë së Bashkuar mund të motërzohet, në rastin e Serbisë, me Komon veltin e Serbisë së Bashkuar (të Madhe).
Sidoqoftë, kur dihet (pra) afërsia e madhe e Ministrit Vulin me Presidentin Vučić dhe detyra e tij si Ministër i Mbrojtjes, një qëndrim i këtillë i tij, i artikuluar qartë në një Javore serbe, dhe ai katalogu i shfryrjes së vrerit të ditëve të fundit ndaj kombit shqiptar, nuk mund dot të injorohet, të shpërfillet, të mos mirret parasyshë, dhe të mos shërbejë për ta artikuluar një pyetje fare të thjeshtë: A flet dhe e bën publike Aleksandar Vulin atë që e mendon dhe e ëndërron Aleksandar Vučić?
Pa e lidhur fare me Aleksandar Vulinin, i cili mëton, bazuar në paraqitjet e tij publike, ta bëjë bashkë Che Guevarën dhe Ortodoksinë krishtere të SPC-së (Kishës Ortodokse Serbe), të cilat nuk kanë dot si të bashkohen sepse komunizmi i Che Guevarës dhe feja (ciladoqoftë ajo), përjashtojnë njëra-tjetrën, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, tashmë e ka dhënë verdiktin për Aleksandar Vučićin dhe politikën e sotme të Serbisë zyrtare.
Sipas Presidentit të Malit të Zi, Presidenti i Serbisë është në ballë të mëkëmbjes dhe regjenerimit të politikës serbo-madhe, e cila u shfaq edhe në trajtë të një mobilizimi të paparë politik dhe kishtar në zgjedhjet parlamentare të muajit gusht në Malin e Zi, me qëllim të ngadhënjimit të një opozite parimisht pro-serbe dhe pro-ruse në këto zgjedhje, gjë që u arrit, megjithëse me një dallim fare të vogël prej vetëm një deputeti në përbërjen e Kuvendit të Malit të Zi.
Megjithatë, për shkaqe të shumta (të qenit në pushtet për tridhjetë vjet të plota, pos tjerash), paraqitjet dhe analizat publike të Milo Đukanovićit, veçmas në politikën dhe në mediat perëndimore, edhe pse parimisht të qëndrueshme dhe pothuaj alarmuese, i përngjajnë paralajmërimeve të sakta të Kasandrës në mitologjinë greke, të cilat nuk bëjnë fare punë, sepse Zotërat e kishin mallkuar që asaj të mos i besojë askush.
Sidoqoftë, duket që e vërteta e plotë për Presidentin e Serbisë Aleksandar Vučić dhe pushtetin e tij, nuk është krejt e thjeshtë, apo, ajo është goxha komplekse, e ndërlikuar (qëllimisht prej tij) teksa dy elementet të cilat assesi nuk bën të harrohen në çdo analizë të politikës së tij, janë ato që flasin për identitetin e tij parësor politik, dhe për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për tu përshtatur në rrethanat politike në rajon, në Evropë dhe Botë, e cila e bënë atë një politikan pothuaj të pashoq në këto anë të Evropës.
Nesër: Politika kosovare do të duhej ta kuptonte sa më parë se me kë ka punë kur bëhet fjalë për Presidentin e Serbisë. Diçka e tillë është e domosdoshme nëse synojmë t’i kundërpërgjigjemi kësaj mësymjeje të madhe të Serbisë të viteve të fundit.
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...
Sara qan dhe kërkon falje për situatën që u krijua, Xuxi e p...