Google ADS

Dështon bojkoti i paralajmëruar, mbi 75 për qind e nxënësve e ndjekin mësimin online

17:27 | 5 Tetor 2020
Arbresh.info

Bojkoti i paralajmëruar në pesë shkolla të mesme të Shkupit duket se ka dështuar. Ishte shumë i vogël numri i nxënësve që nuk ndoqën mësimin nga largësia. Madje, udhëheqësit e shkollave thanë se mungesa e tyre në mësim kishte të bëj me mungesën e internetit dhe mjeteve për punë.

“U paralajmërua bojkot por sot pjesa më e madhe e nxënësve u kyçën, edhe ata që nuk ishin prezent, kishin probleme me pajisjet, nuk kishte lidhje me bojkotin. Bëj apel deri tek prindërit, sidomos edhe nxënësit që mos të bojkotojnë por të marrin pjesë në procesin edukativo arsimor online sepse bojkoti në këto momente do ta thellonte edhe më shumë krizën”, deklaroi Tesnim Etem, ndihmës drejtor i shkollës “Zdravko Cvetkovski”.

Bojkotin e paralajmëruar nuk e mbështeti as Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme. Sipas Hodait, bojkoti është i suksesshëm vetëm nëse mbështetet nga 51 % e nxënësve. Ai shtoi se qëndrojnë pas vendimit të UNSHM-së që mësimi këtë muaj të zhvillohet nga largësia. Në rast se gjendja epidemiologjike këtë muaj është e qëndrueshme, atëherë mësimi të jetë i kombinuar.

“Në qofte se vetëm 20 % bojkotojnë nuk do të jetë i suksesshëm dhe i vetmi grup që do të humb janë nxënësit nga bojkoti që bëhet vetëm në disa qytete. Është e rëndësishme që të gjithë të jemi të unifikuar, nuk e kemi luksin që të përçahemi, sidomos nxënësit, sepse kjo nuk është politikë, nxënësit duhet të jenë të unifikuar pa marrë parasysh begraundet politike dhe ekonomike. Të gjithë duhet të jenë të unifikuar për të arritur qëllimin që gjithë e kemi”, tha Blendi Hodai, kryetar i UNSHM.

Ministrja e Arsimit, Carovska tha se mësimi nga largësia po realizohet pa probleme. Madje, në të tashmë janë përfshirë rreth 78 % e nxënësve.

“75 deri 78 % e mësimit nga distanca po realizohet pa problem. Pjesa tjetër e mbetur prej 20 %, në të shumtën e rasteve kanë problem me qasjen në internet ose mungesën e pajisjeve IT. Gradualisht do ta kalojmë edhe këtë sfidë. Në ndërkohë mësimi vazhdon në Radio Televizionin e Maqedonisë dhe u dorëzohen materialet mësimore”, u shpreh Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkohë Komisioni për Shqyrtimin e kërkesave të shkollave për mësim me prani fizike ka vendosur që të lejojë mësimin edhe në 88 shkolla të tjera fillore, ndërsa ka refuzuar kërkesat e 175 shkollave fillore dhe 52 shkollave të mesme.

 

Të ngjashme