Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë këtë fundjavë në hotelin Aleksandar Palas në Shkup mbajti kuvendin e rregullt jo-zgjedhorë ku u diskutua për disa tema lidhur me punën e Shoqatës, si dhe problemet me të cilët janë përballur gazetarët në vitin e fundit.
Siç njoftojnë nga SHGM, kuvendin e hapi Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, i cili në fjalimin e tij iu referua punës së gazetarëve dhe mediave gjatë pandemisë së koronavirusit dhe prezantoi masat e marra nga Shoqata dhe donatorët për të ndihmuar gazetarët në kryerjen e punës së tyre në mënyrë të sigurt.
“Të përballuar me përqindjen e madhe të mosndëshkimit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, Kryetari Çadikovski prezantoi Deklaratën për ndërprerjen e mosndëshkimit për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Deklarata u bën thirrje institucioneve, partive politike si dhe subjekteve të biznesit që të respektojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe liritë e mediave, në përputhje me normat ligjore dhe standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare. “Ligjet që rregullojnë sferën e medias duhet të jenë në përputhje me nevojat e gazetarëve, mediave dhe qytetarëve, dhe jo me nevojat e qendrave të fuqisë,” shkruan në të”, thonë nga SHGM.
Nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup u kërkua që të bëjë punën e saj me përgjegjësi dhe në mënyrë transparente kur bëhet fjalë për rastet e sulmeve mbi gazetarët, autorët e krimeve kundër gazetarëve dhe punëtorëve mediatik të sillen para drejtësisë, ndërsa për viktimat e krimeve të tilla të sigurohet trajtim i përshtatshëm nëse kjo është e nevojshme.
Përveç kësaj, u kërkua nga pushteti ekzekutiv të krijojë një mjedis të sigurt për gazetarët për të bërë punën e tyre në mënyrë të lirë dhe të pavarur, duke mos pasur presione për raportimin e tyre.
“Në rastet kur gazetarët kanë qenë të sulmuar, pothuajse nuk ka asnjë lëndë gjyqësore që është zgjidhur deri në fund, dhe shteti dështoi në rastin e 27 prillit. Dhjetëra kolegë u sulmuan brutalisht dhe institucionet jo vetëm që nuk filluan asnjë procedim, por gjithashtu guxuan të përpiqen të hedhin poshtë padinë e kolegëve tanë përmes Avokaturës së Shtetit. Kjo është e papranueshme, sepse në rastet kur sulmohen politikanët institucionet reagojnë menjëherë, ndërsa në rastet kur sulmohen gazetarët zyrtarët fshihen në zyrat e tyre, sikur të jemi një dëm shoqëror. “Reagojmë ashpër ndaj kësaj dhe nëse vazhdon sjellja injorante, ose përpjekja për të hedhur poshtë argumentet tona për këtë proces gjyqësor, por edhe për të gjitha sulmet e tjera, paralajmëroj se do të organizojmë proteste kundër standardeve të dyfishta me të cilat trajtohen gazetarët,” tha Çadikovski.
Kryetari i SHGM-së njoftoi se përmes aktivitetit të intensifikuar ai do të përpiqet të zhbllokojë reformat në mediat dhe do të insistohet në zgjedhjen e kuadrove më cilësore për Këshillin Programor në RTVM dhe në Këshillin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.
“Por, ne nuk do të presim që kjo të ndodhë vetvetiu, në ndërkohë do të përpiqemi përmes bashkëpunimit të zmadhuar dhe bisedave me menaxhmentin e RTVM të krijojmë hapësirë për profesionalizim të mëtutjeshëm në servisin publik, duke hapur dyert e servisit publik dhe duke shfrytëzuar resurset ekzistuese aty”, tha Kryetari i SHGM-së.
Në fund të fjalimit të tij, Çadikovski veçoi krijimin e Regjistrit të Online Mediave Profesionale (Promedia.mk) si një nga aktivitetet më të rëndësishme që u realizuan në vitin 2019. “Ky është një proces që duhet të vazhdojë. Gjithashtu jemi duke punuar për të krijuar Kodin gazetaresk për mediat online, i cili do të jetë një proces paralel i azhurnimit të Kodit aktual të Gazetarëve të Maqedonisë,” tha ai.
Drejtori Ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski në fjalimin e tij para anëtarëve prezantoi Strategjinë e Punës të SHGM-së për vitet 2019-2022, dhe më pas i prezantoi dhe me shumicë votash u miratuan Raporti Narrativ për Punën e SHGM-së për 2019 dhe Raporti Financiar për Vitin 2019.
Përveç kësaj, në rendin e ditës u prezantuan edhe ndryshimet e propozuara në rregulloret dhe Statutin e SHGM-së. Në statutin u miratuan disa vendime që rregullojnë statusin e anëtarëve të asociuar dhe kushtet në të cilat ata mund të bashkohen, dhe me kërkesë të komisionit për anëtarësim u zgjat afati në të cilin komisioni mund të vendosë për pranimin e anëtarëve të rinj. Ky vendim parashikon rritjen e afatit nga 3 në 7 ditë për të mundësuar një rishikim më të detajuar të komisionit për secilin anëtar të sapo regjistruar. Është miratuar edhe një vendim i cili do të sqarohet në periudhën në vijim që do të parashikojë përjashtimin e anëtarëve të Shoqatës për shkak të shkeljes flagrante të kodit etik.
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...
Incidenti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi: Motoja “Duar...
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...
Xheneta – Lelës: Anisa u ka treguar Edit dhe Drilonit për rr...
Kurti pret në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së