Ekzekutohen dy pjesëtarë të Vëllazërisë Muslimane në Egjipt

14:04 | 4 Tetor 2020
Arbresh.info

Egjipti ka ekzekutuar dy anëtarë të Organizatës së Vëllazërisë Muslimane (Ihvan), të cilët u arrestuan në demonstratat kundër puçit në qytetin e Aleksandrisë në gusht të vitit 2013.

Sipas një deklarate nga organizata joqeveritare në Londër “Ne regjistrojmë”, e cila merret me shkeljet e të drejtave të njeriut, bëhet fjalë për Yasir al-Ebasiri (49) dhe Yasir Shukr (45), të cilët u mbajtën në burgun Torah në Egjipt.

Në deklaratë thuhet se është ekzekutuar dënimi i mëparshëm me vdekje për Ebasiri dhe Shukr, të cilët u gjykuan për rastin e njohur si “Biblioteka e Aleksandrisë”.

Avokati dhe gazetari egjiptian Heysem Abu Halil informoi në llogarinë e tij në Twitter se Ebasiri dhe Shukr u ekzekutuan në Torah.

Mediat egjiptiane jashtë vendit raportuan për dënimin me vdekje dhe njoftuan se të burgosurit ishin anëtarë të Vëllazërisë Muslimane.

Asnjë deklaratë nuk është bërë nga autoritetet egjiptiane për rastin.

Ndryshe, në shumë qytete të Egjiptit ishin mbajtur protesta ndaj ndërhyrjeve të përgjakshme më 14 gusht 2013 në sheshet Rabiatul Adeviyye dhe Nahda, të cilat ishin qendrat e demonstratave kundër puçit pasi ushtria mori pushtetin në korrik 2013.

Si rezultat i ndërhyrjes së forcave të sigurisë në demonstratat e mbajtura në qytetin e Aleksandrisë, 15 persona, 2 prej të cilëve ishin nga forcat e sigurisë, humbën jetën, kurse shumë njerëz që ishin kundër grushtit të shtetit u arrestuan.

Më vonë, në gjyqin e hapur në lidhje me incidentin, 2 persona u dënuan me vdekje dhe 68 persona me burg në vitin 2015. Dënimi me vdekje për 2 persona u miratua në maj të vitit 2017./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme